Maqedoni
Kontesti rreth emrit, Merkel: zgjidheni, ndikon negativisht; Zaev: të përkushtuar në zgjidhjen e emrit dhe në reformat
21.02.2018 18:05
Kontesti për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë duhet të zgjidhet, por pa presion, sepse në të kundërtën do të ndikojë negativisht në proces...

Kështu ka deklaruar kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit të saj me kryeministrin, Zoran Zaev, në Berlin. Gjermania do t’i ndihmojë dhe inkurajojë palët për zgjidhjen e këtij problemi disavjeçar, ka shtuar Merkeli.
“Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë duhet të zgjidhet. Presioni në bisedime nuk sjell dobi. Kam përshtypje se të dyja palët një kohë të gjatë shfaqin interes për ta zgjidhur kontestin. Ky është parakusht i mirë. Kompromisi është më se i nevojshëm, edhe përkundër asaj se çdo kompromis është i dhimbshëm. Megjithatë për këtë nuk duhet të flitet nëpër konferenca për shtyp, por negociatat duhet të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura”,- deklaroi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Ndërkaq, kryeministri Zaev ka theksuar se qeveria mbetet e përkushtuar në zgjidhjen e kontestit me emrin, po ashtu edhe në realizimin e reformave, duke shtuar se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos integrimit të saj në strukturat euroatlantike.
“Ne na mbetet t’i kryejmë detyrat e shtëpisë. Të vazhdojmë në mënyrë intensive me reformat si dhe me zgjidhjen e çështjes së hapur me Greqinë, problemin që e ka Greqia me emrin tonë kushtetues. Bëhet fjalë për çështje të rënda dhe delikate, por qeveria është përqendruar në gjetjen e zgjidhjes ku do të përfshihen kryetari dhe opozita, dhe gjithashtu do të kërkohet miratimi nga qytetarët. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit të plotë në NATO dhe në BE”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Zaevi ka shtuar se Gjermania është partner strategjik i vendit dhe në këtë drejtim u ka bërë thirrje kompanive gjermane që të vazhdojnë me investime në Maqedoni.
Në takimin me kancelaren, Angela Merkel, bashkë me kryeministrin, Zoran Zaev, kanë qëndruar edhe zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, dhe ajo e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
