Kulturë
20-23 shkurt, Festivali “stand up comedy”, në Librarinë e Çarshisë
21.02.2018 19:14
“Shkupi Up Fest” është titulli i festivalit të stand up komedisë, në kuadër të të cilit mbrëmë u mbajt edhe shfaqja e parë e këtij festivali...

“Shkupi Up Fest” është titulli i festivalit të stand up komedisë, në kuadër të të cilit mbrëmë u mbajt edhe shfaqja e parë e këtij festivali në hapësirat e Librarisë së Çarshisë. Aktorët nga Kosova hapën mbrëmë festivalin, duke dhuruar një spektakël të veçantë.
“Besoj se ka nevojë për një festival të këtillë, sepse stand up-komedi është një zhanër shumë specifik i cili kohëve të fundit ka filluar shumë të zhvillohet edhe në Kosovë. Besoj që spektatori ka nevojë për komedi, sepse nganjëherë i kemi ngarkuar shumë me shfaqjet tona, ka njerëz që nuk e pëlqejnë një dramë, tragjedi dhe ndoshta e gjejnë veten këtu”,- u shpreh aktori, Ernest Zymberi.
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri, thotë se Ministria gjithnjë do të mbështesë projekte të tilla.
“Unë mendoj se kjo është një pikënisje shumë e mirë për vitin 2018 se si Ministria e Kulturës ka kthyer buxhetin e vet tek artistët, tek ky lloj evenimenti dhe unë mendoj se ky festival do të ketë jetë të gjatë”,- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri.
Ky është festivali i parë i llojit të tillë që mbahet në trevat shqiptare e që bashkon aktorët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Festivali Shkupi Up comedy do zgjasë deri më 23 shkurt në hapësirat e Librarisë së Çarshisë.
AMIR DURAKU
