Maqedoni
Gjatë agjerimit të jemi më aktiv në punë, e jo pasiv
16.07.2014 17:26
Gjatë ditëve të “Ramazanit”, shpesh herë na ndodh që t’i telefonojmë dikujt dhe të mos përgjigjet, për shkak se fle deri në orët e pasdites...

Gjatë ditëve të “Ramazanit”, shpesh herë na ndodh që t’i telefonojmë dikujt dhe të mos përgjigjet, për shkak se fle deri në orët e pasdites.
Njerëzit përtojnë më shumë dhe lënë anash obligimet e përditshme dhe kalojnë më shumë kohë shtrirë, duke u justifikuar se agjërojnë. Kjo është mënyrë e gabuar, bën thirrje hoxha, Sadush Tahirit, sipas tij, përkundrazi gjatë këtij muaji duhet të jemi më aktiv.
“Nëse dyqani është hapur më parë në ora tetë, në “Ramazan” duhet të hapet në ora shtatë. Në qoftë se ne jemi zgjuar para agjërimit në ora 8 apo në ora 9, në “Ramazan” duhet që edhe meshkujt edhe femrat të zgjohen qysh më herët. Pra, është gabim që në popullin tonë është kuptuar që ky muaj është muaji i pushimit, kinse ne e adhurojmë Zotin në mbrëmje dhe rrimë të zgjuar shumë kohë, pastaj ditën e kalojmë në pushim, është në kundërshtim me “Ligjin e Allahut”, ku ai ka thënë se natën e kemi bërë për pushim, ndërsa ditën që ju të gjallëroheni, të punoni dhe të jeni më aktiv”, deklaroi hoxha, Sadush Tahiri.
Ata duhet të shlyejnë nga koka këtë koncept të gabuar, thotë Tahiri dhe të krijojnë koncept të ri. Gjatë muajit të “Ramazanit”, duhet të furnizohemi me energji dhe këtë ta dëshmojmë gjatë 11 muajve të ardhshëm.
“Agjërimi sjell disa karakteristika në jetën e besimtarit mysliman: ngritjen e nivelit mental-inteligjent, ngritjen e nivelit shpirtëror dhe ngritjen e nivelit të marrëdhënieve publike me njerëzit. Në qoftë se agjërimi nuk bën që këto tri nivele të ngriten gjatë këtij muaji, atëherë themi se është agjërim i kotë, që ka thënë profeti ynë nga agjërimi njerëzit mund ta përfitojnë vetëm urinë dhe etjen”- theksoi Tahiri.
Gjatë këtij muaji duhet por që të jemi aktiv të tregohemi edhe të butë dhe human pasi ato janë dimensione të njeriut të mirëfilltë.
RINA TURKESHI-SAITI
