Maqedoni

Vajgëll, Flekenshtajn dhe Kukan të hënën në Shkup

22.02.2018 12:33

Eurodeputetët, Ivo Vajgëll, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, të hënën në Shkup...

Eurodeputetët, Ivo Vajgëll, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, të hënën në Shkup do të marrin pjesë në Konferencën e 13 të Komisioneve parlamentare për çështje evropiane – integrime të shteteve të përfshira në procesin për stabilizim dhe asociim nga EJQ – Kosap.
 
Tani për tani nuk ka informata nëse tre deputetët do të kenë takime zyrtare me përfaqësues të partive parlamentare. Nga zyra e Vajgëllit në PE informojnë se në agjendën e tij është vetëm Kosap.
 
Eurodeputetët ishin iniciatorë të idesë për bisedime në shtëpinë e Zhan Monesë në Paris, por takimi i përfaqësuesve të grupeve parlamentare u shty. Vajgëll në fund të janarit, në intervistën për MIA-n, tha se tre deputetët vendosën në shkurt të vijnë në Maqedoni dhe definitivisht të dakordohen për datën e re të takimit të parë dhe temat të cilat do të harmonizoheshin për atë takim.
 
Termini i parë i paraparë, muajin e kaluar, dështoi sepse eurodeputetët nuk morën konfirmim nga VMRO-DPMNE, e cila ishte në procedurë të zgjedhjes së kryesisë së re. Vajgëll, Flekenshtajn dhe Kukan do të jenë mysafirë folës në konferencën e cila do të ketë dy sesione dhe atë për perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe sundimit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor.
 
Në hapje do të flasë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ndërkaq si mysafirë folës në sesione janë paralajmëruar edhe euroambasadori, Samuel Zhbogar, Kristian Vigenin - kryetar i Komisionit për çështje evropiane dhe kontroll të Fondeve evropiane, ambasadori i ShBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe ai i Drejtësisë, Bilen Salii. Në konferencë, siç është paralajmëruar, do të miratohet një deklaratë e përbashkët.