Maqedoni
Arsimi medial të jetë lëndë e re. Nxënësit u besojnë informatave në rrjetet sociale, pasaktësia e tyre çon në manipulime
22.02.2018 14:53
Arsimimi medial duhet të inkorporohet në kuadër të sistemit arsimor në mënyrë që nxënësit...

Arsimimi medial duhet të inkorporohet në kuadër të sistemit arsimor në mënyrë që nxënësit të aftësohen për të qenë kritikë ndaj lajmeve dhe informacioneve të rrejshme që plasohen.
Kështu vlerësuan përfaqësuesit e MASh-it, Byrosë së Arsimit, gazetarët pjesëmarrës në Konferencës me temë "Arsimimi mediatik në Maqedoni: në ose jashtë arsimit”, ku u theksua nevoja që strategjia e arsimit të përfshijë këtë lëndë.
Hulumtimet në këtë sferë tregojnë se nxënësit informohen nga rrjetet sociale ku plasohen shumë të pavërteta të cilat janë të dëmshme për zhvillimin e tyre si individë të pjekur.
“Reformat në përmbajtjet arsimore do t’i aftësojnë nxënësit të vlerësojnë përmbajtjet që u ofrohen dhe po ashtu të ketë trajnime për arsimtarët që do të ligjëronin këtë lëndë”,- tha Vllado Dellov nga MASh.
“Për t’u mundësuar që gjatë mësimit të perceptohet informacioni a është i rrejshëm apo jo, apo ka ndonjë formë tjetër të manipulimit, nevojitet lënda Arsimi media, sepse nuk mjafton vetëm entuziazmi i mësimdhënësve që tua sqaroj nxënësve lajmet e rrejshme”,- u shpreh Aleksandra Temenugova nga Instituti i mediave.
“Hulumtimet që i kemi bërë dëshmojnë se lajmet që lexohen në rrjetet sociale shpeshherë paraqesin pasqyrë të shtrembëruar të realitetit, nxënësit nuk janë të aftë të vlerësojnë realitetin dhe bien pre e provokimeve të ndryshme”,- u shpreh profesoresha, Tamara Cupeva.
Po ashtu në këtë debat u theksua nevoja për trajnimin e mësimdhënësve të cilët do të ligjëronin këtë lëndë.
FLUTURA LATIFI
