Maqedoni

Ministria e Administratës dhe DAP: sektori publik, të dhënat e të punësuarve në një regjistër

22.02.2018 15:18

Të punësuarit në institucionet e sektorit publik nuk do ta marrin rrogën nëse të dhënat e tyre...

Të punësuarit në institucionet e sektorit publik nuk do ta marrin rrogën nëse të dhënat e tyre nuk futen në regjistrin e Ministrisë së Administratës Publike, në sistemin informativ për menaxhim me resurset njerëzore.
 
Sektori publik duhet t’i fusë të dhënat në regjistër brenda tre muajve, në të kundërtën gjatë parashtrimit të llogaritjeve për rroga do të paraqitet gabimi në sistemin e Drejtorisë për të Ardhura Publike, me çka nuk do të mund ta lëshojnë rrogën.
 
"Rekomandojmë para se të fillojë zbatimi i dispozitave të reja ligjore, përkatësisht në tre muajt e ardhshëm punëdhënësit nga sektori publik të kryejnë plotësim të tërësishëm të të dhënave në regjistrin, me çka do të evitohet dukuria e gabimit gjatë kryerjes së kontrollit të të dhënave nga ana e DAP-it”,- deklaroi Sanja Llukarevska nga DAP.
 
Ministria e Administratës nuk ka për qëllim t'i dënojë institucionet, por të sigurohet regjistri i saktë që përfundimisht do t'i përmbajë të gjitha informatat si për numrin e të punësuarve ashtu edhe për vendet e lira.   
 
"Regjistri tërësisht i azhurnuar dhe i plotësuar do të japë pasqyrë për gjendjen momentale në administratë, për numrin e vendeve të lira të punës, strukturën e moshës, numrin e personave të cilët janë para pensionit dhe shumë të dhëna të tjera. Për plotësimin e vendeve të lira të punës do të mund të gjendet kuadër adekuat i cili i përmbush kriteret e nevojshme dhe do të mund të merret nga lista e transferit”,- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
 
Nga gjithsej 1.303 institucione nga sektori publik, 259 nuk kanë futur të dhëna. Prej tyre, 173 institucione nuk kanë kërkuar pajtueshmëri nga MShIA dhe nuk kanë sistematizim aktiv, ndërsa 85 nuk kanë futur të dhëna për të punësuarit edhe pse kanë sistematizim të miratuar.
 
Në periudhën në vijim, secili i punësuar do të mund të kontrollojë nëse janë futur të dhënat e tij në regjistrin e Ministrisë së Administratës Publike. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU