Botë
Kuvendi i Kosovës, shtyhet për nesër ratifikimi i demarkacionit
22.02.2018 16:18
Partitë politike në Kosovë edhe sot nuk ia dolën të merren vesh rreth votimit të Marrëveshjes...

Partitë politike në Kosovë edhe sot nuk ia dolën të merren vesh rreth votimit të Marrëveshjes për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Seanca e thirrur për sot u shty për të premten, pasi, siç tha kryeparlamentari, Kadri Veseli, konsultimet ende janë duke vazhduar dhe se kanë për qëllim që të arrihet një konsensus në mes partive politike.
“Më lejoni të theksoj optimizmin tim që jemi në rrugë të mirë. Falënderoj edhe një qasje të opozitës. Kemi një dakordim të përbashkët që seanca të shtyhet për nesër në ora 10. Do t’i kryejmë obligimet ashtu siç presin qytetarët tanë. Nesër në orën 10 është vendimi unanim i të gjithë grupeve parlamentare”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në fakt deri te shtyrja e seancës erdhi pas mosmarrëveshjes ndërmjet deputetëve të AAK-së dhe LSDK-së nëse duhet të mbetet ose të hiqet raporti i Shpejtim Bulliqit nga votimi.
“Nëse nuk është edhe raporti i Bulliqt, vota ime do të jetë kundër, gjithashtu edhe ajo e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Përpjekja për ta larguar këtë raport është e papranueshme, sepse ky raport konstaton gabimet që duhet të korrigjohen. Vota ime është kundër në qoftë se hiqet raporti i Bulliqit”,- u shpreh Rasim Selmanaj nga AAK.
“Ne si LDK duam ta votojmë marrëveshjen e 2015-s dhe deklaratën e dy presidentëve, por jo edhe raportin e Shpejtim Bulliqit. Nuk mund të votohet edhe raporti edhe marrëveshja”,- theksoi Ismet Beqiri nga LDK.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje mbetet kundër marrëveshjes për demarkacionin e madje ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj presidentit, Hashim Thaçi, të cilin e akuzon për tradhti ndaj shtetit.
“Deklarata e para disa ditëve e nënshkruar nga Thaçi me presidentin e Malit të Zi ka qenë shkelje e rëndë dhe ka bërë tradhti ndaj vendit, pasi Kulla, Çakorri dhe Bjelluha mbeten jashtë territorit të Kosovës. Ne presim që Prokuroria Speciale shumë shpejt të nis hetimet lidhur me këtë shkelje të kodit penal”,- u shpreh Albulena Haxhiu nga VV.
Ambasadori amerikan, Greg Delawie, u ka bërë thirrje partive politike që të arrijnë kompromisin për të miratuar Marrëveshjen e demarkacionit.
“Jemi këtu për t’i nxitur deputetët të votojnë marrëveshjen. Kjo marrëveshje është e drejtë, e saktë. Politikanët të bëjnë kompromis për të arritur votën. Abstenimi apo vota kundër në thelb është kundër marrëveshjes”,- tha ambasadori i ShBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie.
Në Kuvend ishte e pranishme edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, e cila ashtu si edhe kolegu i saj amerikan, kërkoi ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, pasi me këtë votim do t’u mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në Evropë.
GYLTENE SINANI
