Maqedoni
Kuvend - pyetje deputetësh, Osmani: Merkeli përshëndeti miratimin e Ligjit për gjuhët; Deskoska ia heq Taravarit kompetencat në arsim; Joveski: akuza për rastin “Almir” është rikualifikuar
22.02.2018 16:44
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve ka gjetur mbështetjen edhe nga Berlini zyrtar, përkatësisht nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin Shtajnmaer.
Sipas tij, për momentin kundër këtij ligji është vetëm VMRO-DPMNE-së dhe së fundmi edhe ministri i jashtëm rus, i cili e dënoi miratimin e ligjit si shkelje të MO-së.
“Si risi për këtë moment është impresioni nga vizita e djeshme në Gjermani, në të cilin delegacioni i lartë shtetëror kishte takim edhe me kancelaren Merkel edhe me presidentin Shtajnmaer, ku qartë u theksua dhe u përshëndet miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe u dënua tentativa për të futur temat ndëretnike në luftën politike ditore duke e konsideruar këtë qasje si shumë të rrezikshme për vendin dhe duke dënuar në këtë mënyrë edhe tentimin për pengim nëpërmjet amendamenteve të shumta që futen në procedurë”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Në seancën e paraparë për pyetje deputetësh, qeveria sqaroi edhe vendimin për t’ia marrë kompetencat në fushën e arsimit kryetarit të Gostivarit, Arben Taravarit, i cili, sipas ministres së Arsimit, nuk i ka respektuar vendimet e Inspektoratit të arsimit.
Deputetët treguan interes edhe për rastin gjyqësor kundër vrasësit të Almirit. Kryeprokurori Joveski sqaroi se rasti është rikualifikuar dhe akuzës i është hequr kualifikimi “vrasje me paramendim”.
“Po, para se të emërohem për prokuror publik i RM-së, fillimisht në Prokurorinë e Lartë lënda është referuar madje edhe në kolegjium të Prokurorisë Publike të RM-së dhe atëherë është marrë qëndrim se kryerësit të asaj vepre penale nuk mund t’i vihet paramendimi si element i veprës penale dhe vepra duhet të rikualifikohet. Megjithatë, tani lënda është sërish në procedurë dhe në bazë të fakteve dhe dëshmive që do konstatohen në këtë procedurë ajo do të procedohet në harmoni me ligjin”,- theksoi kryeprokurori, Lubomir Joveski.
Në seancën për pyetje deputetësh nuk morën pjesë deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE, kështu që anëtarët e qeverisë iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve nga shumica parlamentare dhe pyetjeve të opozitës shqiptare.
SHPËTIM NUREDINI
