Maqedoni
Raport mbi punën e AShAAV-it, Bejkova: nevojiten reforma të vërteta në media
22.02.2018 17:49
Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele ka dëshmuar një nivel solid të transparencës...

Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele ka dëshmuar një nivel solid të transparencës, ndërkaq është e vonuar në miratimin e strategjisë së re që ka të bëjë me zhvillimin e veprimtarisë audio dhe audiovizuele.
Kështu ka rezultuar raporti i tremujorit të fundit për vitin 2017 mbi punën e AShAAV-it në kuadër të projektit “Monitorim të efikasitetit, efektivitetit, transparencës dhe përgjegjësisë së rregullatorëve të medieve - Proformance Watch”.
Gjatë këtij tremujori ka përfunduar edhe debati i hapur mbi propozim - ndryshimet e Ligjit për media që ka kaluar në qeveri.
“Agjencia në tremujorin e kaluar konsideron se për reforma të vërteta duhet që fokusi të vihet në rritjen e profesionalizmit të mediave, në përmirësimin e kushteve për kryerjen e veprimtarisë dhe forcimin e të drejtave të punës dhe të drejtave profesionale të gazetarëve, si dhe punonjësve tjerë në media, sepse në thelb nuk duhet të vazhdohet praktika që me ndryshimin e ligjit të ndryshohet përbërja e rregullatorit”,- tha Biljana Bejkova nga Shoqata Civile “Infoqendra”.
“Edhe ligji i deritanishëm është i mirë nëse ne do të ishim në Suedi, por meqë nuk jemi si Suedia dhe kemi shumë probleme unikate, do të nevojitet që për të gjitha këto probleme të kemi zgjidhje. Këto zgjidhje në masë të madhe do të duhej të jenë radikale”,- u shpreh Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin E Mediave.
Pjesë e monitorimit në kuadër të projektit ka qenë edhe Agjencia për Komunikime Elektronike, ndërsa e kanë realizuar Eurothink - Qendra për strategji europiane, Shoqata “Infoqendra”, “Transparent” - Maqedoni dhe Komiteti i Helsinkit, ndërsa ishte i mbështetur nga Ambasada britanike në Shkup.
NAIM RAMADANI
