Maqedoni

Gostivar, MASh-i ia merr Taravarit kompetencat në arsim

22.02.2018 18:41

Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, nuk i ka respektuar vendimet e Inspektoratit të Arsimit...

Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, nuk i ka respektuar vendimet e Inspektoratit të Arsimit, prandaj ekzekutivi solli vendim për t’ia marrë atij kompetencat në fushën e arsimit.
 
Kështu ka sqaruar ministrja e Arsimit, Renata Dekoska, e cila sqaroi se vendimi është sjellë gjatë ditës së djeshme. 
 
“Dua t’u njoftoj ju dhe gjithë opinionin se dje pasdite i janë marrë kompetencat kryetarit të komunës së Gostivarit në sferën e arsimit dhe atë në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve në shkollat komunale themelore dhe të mesme. Në vendim janë shënuar të gjitha vendimet e Inspektoratit të Arsimit me shënim se kryetari i komunës duhet t’i respektojë, për fat të keq kjo nuk ndodhi”,- tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska.
 
Por, për kryetarin e Gostivarit, Arben Taravarin, bëhet fjalë për vendim politik, e madje, sipas tij, po të ishte e mundur do të emëronin edhe kryetar të ri. 
 
“Ndryshimi i drejtorëve ka ndodhur edhe në vitin 2013, por askush nuk ka reaguar. Disa nga drejtorët kanë bërë shkelje flagrante të ligjit dhe ne për këto kemi dërguar material në Ministrinë e Arsimit, ministrja edhe mua më ka treguar, por edhe anëtarët e BDI tregojnë se bëjnë presion të madh për t`i marrë ingerencat. Po të mundej Zaevi të emërojë kryetar komune edhe atë do e kishte bërë, por fatkeqësisht vullneti i popullit ishte kundër dëshirës së Zaevit dhe Ahmetit”,- tha kryetari i Gostivarit, Arben Taravari.
 
Edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi, vlerësoi se padrejtësisht i janë marrë kompetencat kreut të Gostivarit. 
 
“BDI e ka humbur komunën e Gostivarit dhe atë e kanë fituar qytetarët, prandaj padrejtësisht penalizohen. Vazhdon avazi i njëjtë. Dikur pushteti VMRO - BDI penalizonte Strugën, sot pushteti LSDM - BDI penalizon komunën e Gostivarit”,- theksoi deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
 
Vendimi i Ministrisë së Arsimit për marrjen e kompetencave të Taravarit do të jetë në fuqi për nëntë muajt e ardhshëm.
 
LULZIM HAZIRI