Gouta Lindore, vazhdojnë sulmet ajrore, 13 të vrarë
Për të pestën ditë me radhë, avionët luftarakë kanë bombarduar në Goutan Lindore enklavën e fundit të rebelëve...

Për të pestën ditë me radhë, avionët luftarakë kanë bombarduar në Goutan Lindore enklavën e fundit të rebelëve, që gjendet në afërsi të kryeqytetit sirian, Damask, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ajrore.
Më shumë se 300 predha kanë goditur Goutan Lindore, duke vrarë 13 persona dhe plagosur mbi 100 të tjerë, ka njoftuar Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut.
Që prej 18 shkurtit, mbi 300 persona janë vrarë në Goutan Lindore, ndërkaq qindra të tjerë janë plagosur.
Grupi monitorues, por edhe agjencitë e ndihmës, kanë thënë se avionët rusë dhe sirianë kanë goditur spitalet dhe objektiva të tjerë civilë.
Sulmet vijnë pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm “të të gjitha aktiviteteve të luftës” në këtë zonë, dhe, sipas tij, situata në Gouta Lindore është “ferr në tokë”.
Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të rrisë trysninë mbi Rusinë dhe Iranin që t’i jepet fund dhunës në Siri.
SEVDIE OMEROVIQ
