Prioritet, rastet urgjente nga aksidentet
Rastet me fraktura të hapura, thyerje, lëndime në kurriz, gjakderdhje masive, lëndimet e qafës dhe lëndimet e rënda, pësuar si rezultat i aksidenteve, janë rastet të cilat gjatë pushimeve verore do të kenë prioritet në listën e ndërhyrjeve kirurgjikale në Klinikën e Traumatologjisë…….

Rastet me fraktura të hapura, thyerje, lëndime në kurriz, gjakderdhje masive, lëndimet e qafës dhe lëndimet e rënda, pësuar si rezultat i aksidenteve, janë rastet të cilat gjatë pushimeve verore do të kenë prioritet në listën e ndërhyrjeve kirurgjikale në Klinikën e Traumatologjisë.
TVM-2, vizitoi disa reparte të Qendrës Spitalore të Shkupit rreth prioriteteve për ndërhyrje kirurgjikale. Në Klinikën e Traumatologjisë, në muajin korrik dhe gusht, do të realizohen vetëm ndërhyrjet kirurgjikale urgjente, ndërsa ndërhyrjet e planifikuara do të shtyhen për në shtatorë.
“80 % e rasteve janë urgjente, ndërsa 20 % e rasteve janë raste të cilat janë të planifikuara për ndërhyrje kirurgjikale kohë më parë. Është çështje e organizimit intern. Rastet e planifikuara në Klinikën e Traumatologjisë, nuk i realizojmë gjatë periudhës së verës. Planifikimet e tyre fillojnë prej muajit shtatorë, prej kur dhe fillon dhe vala e ndërhyrjeve kirurgjikale të rregullta”- deklaroi nga Klinika e Traumatologjisë, Ilir Asani.
Edhe Klinika e Syve pranë Qendrës Spitalore të Shkupit, për shkak të verës dhe temperaturave të larta ka reduktuar numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale të kataraktas së syve. Prioritet gjatë dy muajve të ardhshme do t’i jepet vetëm rasteve me lëndime të rënda të syve.
“Për çdo siguri dhe për arsye se një numër i madh i pacienteve nuk mund t’u përmbahen të gjitha këshillave post operative, ne zvogëluam numrin e intervenimeve kirurgjike të mos vijë deri në infeksion apo komplikime post operative. Intervenimet kirurgjike që kanë të bëjnë me lëndime, të cilët janë më të shpeshta gjatë stinës së verës, intervenimi kirurgjik bëhet menjëherë dhe nuk kemi pritje”- theksoi drejtori i Klinikës së Syve, Iljaz Ismaili.
Një ndër problemet shtesë që vështirësojnë realizimin e ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë periudhës së verës, është dhe stafi i reduktuar nëpër reparte, për shkak të pushimeve të verës. (Rexhep Qamili, TVM2)
