Maqedoni

Gruevski tregoi “linjat e kuqe” sa i përket emrit

16.07.2014 17:50

Çdo nismë dhe ide që do të kontestojë identitetin maqedonas, gjuhën dhe kombësinë, për VMRO-DPMNE-në do të jetë e papranueshme...

Çdo nismë dhe ide që do të kontestojë identitetin maqedonas, gjuhën dhe kombësinë, për VMRO-DPMNE-në do të jetë e papranueshme. Kështu është shprehur kryeministri, Nikolla Gruevski, duke komentuar qëndrimet e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila theksoi se problemi i pazgjidhur i çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë është bërë barrë edhe për Gjermaninë dhe BE-në.  
 
“Edhe për mua dhe shumë të tjerë që e ndjekin këtë proces, është se pala tjetër shumë më herët, që nga fillimet e hershme, praktikisht e konteston identitetin tonë dhe kjo është dëshmuar edhe në deklaratën e fundit të kryeministrit të fqiut tonë. Ajo që është e rëndësishme për ne, ajo që dua të theksoj dhe që disa herë e kam përmendur dhe që është në plan-programin e VMRO-DPMNE-së, është se VMRO nuk do të hyjë në asnjë nismë, ide që kontestohet apo që do të vijë puna deri në kontestimin e identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe kombësinë”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Kancelarja, Angela Merkel, në takim e liderëve të vendeve të Ballkanit perëndimorë ka theksuar se personalisht është angazhuar në zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë, ku ka dhënë vlerësimet e saja për propozimet për zgjidhjen e çështjes së emrit.
 
Sipas saj, Maqedonia duhet të bëjë kompromis dhe të anëtarësohet në NATO dhe BE, duke shtuar se kompromis në Gjermani llogaritet kur të dy palët janë të pakënaqura. 
 
AFRIM TANALLARI