Maqedoni

Takimi Merkel - Cipras, bisedohet për emrin

23.02.2018 12:39

Çështja e emrit do të jetë temë e diskutimit mes kryeministrit grek, Aleksis Cipras, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel...

Çështja e emrit do të jetë temë e diskutimit mes kryeministrit grek, Aleksis Cipras, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, që do të mbahet sot në Bruksel në kuadër të takimit joformal të 27 vendeve anëtare të BE-së.
 
Televizioni grek, Skaj, kumtoi se "Cipras gjatë një bisede telefonike të realizuar me kancelaren Merkel e ka theksuar nevojën për  zgjidhjen përfundimtare të kontestit me ndryshim të emrit kushtetues të vendit fqinj".
 
Sipas burimeve të njëjta, kryeministri grek dhe kancelarja gjermane janë dakorduar të takohen të premten në Bruksel në takimin joformal të liderëve të BE-së. Kancelarja Merkel pas takimit me Zaevin në Berlin doli me qëndrim se kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin deri më tani është më afër zgjidhjes, duhet të përmbyllet, por se çfarëdolloj presioni nuk do të ndikojë pozitivisht ndaj procesit.
 
Përmendi edhe se të dyja palët po sillen me përgjegjësi në negociatat e ripërtërira dhe se Greqia dhe Maqedonia e dinë se çka mund të japin në mënyrë që të arrihet kompromisi dhe kërkoi diskrecion në proces.