Botë

Moti i keq në Ballkan, Kroacia nën darën e acartë. Përmbytjet në ShBA, tre të vdekur e qindra të evakuuar

23.02.2018 13:46

Moti i keq që ka përfshirë Ballkanin, po shkakton probleme të mëdha...

Teksa Maqedonia pret përkeqësim të motit dhe ulte temperaturash gjatë fundjavës, në Kroaci gjithçka ka ngrirë.
 
Reshjet e pandërprera të borës dhe era e fuqishme ka shkaktuar probleme të shumta në qarkullim, shumë rrugë malore janë tërësisht të pakalueshme dhe mësimi nëpër shkolla është ndërprerë. Në hapjen e rrugëve është përfshirë edhe ushtria. Autoritetet paralajmërojnë vozitësit të jenë të kujdesshëm.
 
Të paktën tre persona kanë humbur jetën nga përmbytjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa qindra të tjerë janë evakuuar.
 
Shirat e dendur dhe shkrirja e borës ka bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati në veri të Indianës, në jug të Michiganit, Ilinois, Ohio dhe vende të tjera këtë javë.
 
Njoftimet për përmbytje janë dhënë në një pjesë të madhe të ShBA-ve. Më shumë se 30 milionë njerëz rrezikohen të preken nga përmbytjet.
 
Kryqi i Kuq amerikan ka hapur tetë qendra për të strehuar të evakuuarit ndërsa shërbimet e emergjencës janë vënë gjithashtu në dispozicion.