Maqedoni
Mançevski: krijojmë kushte për operatorin e tretë celular
23.02.2018 16:50
Maqedonia për momentin është vendi i vetëm në Evropë në të cilin ka vetëm dy operatorë celularë...

Qeveria po punon për krijimin e kushteve për hyrje të operatorit të tretë celular në vend. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, thotë se kjo do të jetë edhe një nga temat kyçe në të cilat ai do të bisedojë në Panairin GSM, që nga e diela fillon në Barcelonë.
“Flasim për operator rrjeti, jo për virtual, për këtë nevojiten një sërë masash, përpjekjesh dhe ndryshime të disa akteve nënligjore. Të gjithë këto aktivitete do të bëhen paralelisht me përpjekje që të mos e prishim konkurrencën e tregut, gjegjësisht të të dy operatorëve të tjerë ekzistues. Qëllimi përfundimtar është të kemi shërbime më të mira për qytetarët me çmime më të ulëta”,- theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damian Mançevski.
Kompanive të interesuara do t'u ofrohet infrastrukturë ekzistuese e rrjetëzuar që Maqedonia e ka. Mançevski thotë se investimet e reja në këtë drejtim janë fitimprurëse për një afat shumë më të gjatë se 12 vite.
Kjo do të thotë mundësi për huazim nën kushte të caktuara të infrastrukturës së rrjetëzuar të kompanive MEPSO, Hekurudhat e Maqedonisë dhe Radiodifuzioni i Maqedonisë.
Maqedonia në prill do të jetë edhe nikoqire e Samitin digjital të Ballkanit Perëndimor.
GAZMEND REXHEPI
