Ekonomi

Zhvillimi ekonomik lokal, Bekteshi: nxitja e kompanive ndihmon ekonominë; Birman: sektori privat, shtyllë e zhvillimit ekonomik

23.02.2018 17:18

Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesit e Projektit Usaid...

Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesit e Projektit Usaid për përfshirjen e sektorit privat në zhvillimin ekonomik lokal.
 
Sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nëpërmjet këtij projekti synohet që të sigurohet mbështetje e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në përmirësimin e kushteve, rritjen e produktivitetin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
 
Ministria e Ekonomisë tashmë ka propozuar edhe Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, i cili pritet të rrisë investimet dhe të ndihmojë sektorin privat.
 
“Vazhdojmë në të njëjtin drejtim për t’i nxitur kompanitë për të investuar në zhvillimin ekonomik lokal dhe rajonal përmes zhvillimeve të lidhjeve me furnizuesit ekzistues vendas, si dhe me përfshirjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në zinxhirin e furnizimit, zhvillimit të përbashkët të fuqisë punëtore dhe zhvillimit të shërbimeve. E gjithë kjo do të ketë ndikim mbi zhvillimin rajonal dhe do të mundësojë nxitje të zhvillimit ekonomik lokal jashtë kryeqytetit të RM-së, me çka kontribuohet në zhvillimin e ekosistemit lokal të biznesit",- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Zëvendësdrejtues i Byrosë së USAID-it për Evropën dhe Azinë porositi që sektori privat duhet të jetë shtylla kryesore në zhvillimin ekonomik.
 
“Me projektin për zhvillim të ekosistemit afarist dhe partneritetit të vendosur me sektorin afarist, zëvendësohet modeli tradicional i zhvillimit të ndihmës në qasjen që e shfrytëzon potencialin e sektorit privat të Maqedonisë për lëvizje të zhvillimit përmes krijimit të vendeve të punës, rritjes ekonomike dhe përgjegjësisë shoqërore korporative”,- theksoi zëvendësdrejtuesi i Byrosë së USAID-it për Evropën dhe Azinë, Brok Birman.
 
6,2 milionë dollarë janë ndarë për zhvillim të ekosistemit afarist i cili për katër vite duhet të ndihmojë që të krijohen edhe 5.750 vende të reja pune.
 
GAZMEND KURTISHI