Botë
Dështon ratifikimi i demarkacionit, Haradinaj: po pengoni liberalizimin; LDK: nuk votojmë raporte me kauza të rrejshme; Vetëvendosje: humbasim territor, të përgjigjet kush e bëri
23.02.2018 17:33
Kuvendi i Kosovës sërish nuk ia doli të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi...

LDK këmbëngul që marrëveshja të ratifikohet pa raportin e ri të komisionit shtetëror, derisa AAK dhe Nisma për Kosovën insistojnë në përfshirjen e raportit.
Kundërshtimi i LDK-së shkaktoi reagimin e ashpër të kryeministrit Haradinaj, i cili i akuzoi se po pengojnë liberalizimin për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Ky raport po ju pengon, nuk e doni këtë raport se tregon se po kthehet guri atje… Këtu e keni problemin, po kërkoni ta riaktivizoni, po doni ta quani dokument orientues, jo sa të jem unë! Ju po e pranoni deklaratën e dy presidentëve, a vetëm raportin nuk doni. E po s’ka ligj tjetër, asnjë germë si hiqet këtij ligji! Para jush e keni, bllokojini qytetarët, lërini pa liberalizim, lërini pa asgjë”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
LDK e akuzon pushtetin se po i gënjen qytetarët me kauza të rrejshme.
“Tri vjet e keni mbajtur këtë shoqëri të ndarë me kauza të rrejshme. Grupi ynë parlamentar nuk voton raporte me kauza të rrejshme. Jemi pajtuar që ai raport bashkë me të gjitha raportet e tjera t’i bashkohen ligjit, le ta shohin dhe të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre”,- u shpreh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Deputetët e Vetëvendosjes mbeten kategorikisht kundër, pasi vlerësojnë se me marrëveshjen Kosova humb territor, prandaj edhe pse demarkacioni është kusht i BE-së për heqjen e vizave, nga Vetëvendosje thonë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se territori.
“Nëse kalon kjo marrëveshje, duhet t’i informojnë qytetarët që shteti ynë humb territor dhe për Vetëvendosjen kjo marrëveshje është më e rëndësishme, sepse është liberalizimi i vizave, liberalizimi i vizave patjetër që është me rëndësi, por kush e ka penguar deri tani, ai që e ka nënshkruar demarkacionin gabimisht dhe prej të cilit na dolën gabime?! Këto gabime i konstatoi Komisioni Shtetëror i Qeverisë së tanishme. Pse ne me i pas fajet për këtë gjë? Përgjegjësitë duhet t’i marrin ata që e kanë nënshkruar gabim demarkacionin”,- tha Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.
PDK e kryeparlamentarit Veseli ishte e gatshme të votojë, por në pamundësi që të sigurohen dy të tretat e votave, pasi munguan edhe deputetët e listës serbe, Kuvendi i Kosovës vendosi që të mërkurën të bëjë përpjekjen e radhës për të ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi.
GYLTENE SINANI
