Maqedoni

Analiza “Gjyqësori nën thjerrëz”, Taseva: gjetjet zhgënjyese, mosrespektim të ligjeve

23.02.2018 17:54

Mosrespektim të plotë të ligjeve dhe nevojë për shqyrtimin e punës së gjykatësve dhe të praktikës gjyqësore në Maqedoni...

Mosrespektim të plotë të ligjeve dhe nevojë për shqyrtimin e punës së gjykatësve dhe të praktikës gjyqësore në Maqedoni, ka nxjerrë raporti gjatë analizës së 12 lëndëve gjyqësore që janë proceduar në 10 vitet e kaluara, sqaroi nënkryetarja e “Transparenc Maqedoni”, Sllagjana Taseva.
 
Të dhënat janë zhgënjyese, tha Taseva gjatë prezantimit të analizës “Sistemi gjyqësor nën thjerrëz”. 
 
“Më se e qartë është se janë bërë shumë shkelje të ligjeve dhe me këtë janë bërë edhe shumë padrejtësi. Duke filluar me atë se si është përcaktuar paraburgimi pa arsyetim, më tej, se aktakuzat nuk përmbajnë veprime konkrete dhe përshkrime të veprimit të individëve, del se plotësisht injorohet individualizimi i procedurës penale. Në aktvendime nuk i kemi faktet vendimtare të lëndëve dhe nuk mund të shohim se kush dhe çfarë veprimi ka kryer dhe për cilin veprim i është shqiptuar masa”,- deklaroi Sllagjana Taseva nga “Transparency International”.
 
Lidhur me reformat e gjyqësorit, Taseva tha se deri tani nuk ka parë reforma, ndërkaq beson se kjo analizë do të merret parasysh. 
 
“Deri më tani nuk kemi parë reforma, kemi parë vetëm përpjekje për strategji. Këto gjetje duhet të jenë mësim i fortë për punën e tanishme në organet gjyqësore. Këtë libër nuk mund ta injorojë asnjëri që dëshiron të ulet në sallën gjyqësore dhe të jetë gjykatës i mirë”,- u shpreh Sllagjana Taseva nga “Transparency International”.
 
Analiza “Sistemi gjyqësor nën thjerrëz” është  përgatitur nga “Tranparency International - Maqedoni” dhe Shoqata “Thjerrëza e gjelbër” nga Shkupi.
 
NAIM RAMADANI