Maqedoni

Protestë në Shkup, kërkohet ndërprerja e rasteve të montuara

23.02.2018 18:14

Disa shoqata bashkë me familjarët e të burgosurve protestuan para gjykatës në Shkup...

Disa shoqata bashkë me familjarët e të burgosurve protestuan para gjykatës në Shkup, për të kërkuar drejtësi për të gjitha rastet e montuara kundër shqiptarëve.
 
Ata thonë se sistemi i drejtësisë në Maqedoni kritikohet nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë, por kur bëhet fjalë për shqiptarët, ky sistem është shumë i padrejtë. Ata kërkojnë që drejtësia të vihet në vend. 
 
“Bëj apel tek shteti, tek të gjithë njerëzit, dashamirët që janë në funksione ta rishqyrtojnë rastin se vëllanë tim e kam të pastër, nuk ka të bëjë aspak me këto krime që ngarkohet. Ka jetuar katër vite e gjysmë në Gjermani tek unë, bashkë me mua erdhi për të bërë dokumentet në Maqedoni dhe erdh e u fut në burg pa pikë faji”,- deklaroi vëllai i të dënuarit me burg të përjetshëm Agim Islamit, Bekim Islami.
 
“Kërkoj nga Ministria Drejtësisë që sa më shpejt të marrë masa të duhura dhe ta kthej rastin në rigjykim dhe hetim ndërkombëtar dhe për çka të jetë nevoja”,- u shpreh motra e Dem Shehut nga Rasti “Kumana”.
 
“I themi Zoran Zaevit që nëse e do Maqedoninë dhe qytetarët e saj, ai duhet t’i rishqyrtojë të gjitha rastet e montuara, të vazhdojë misionin e prokurorisë para organeve të drejtësisë dhe të gjithë ata që kanë bërë vepra penale të përgjigjen para drejtësisë”,- theksoi kryetari Forumit për të Drejtat e Njeriut.
 
Nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë kërkojnë që avokati i popullit të kryejë detyrën e tij e të mos heshtë. 
 
“I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit të bëhet i gjallë dhe bashkë me përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar të Shoqatës së Burgosurve Politikë Shqiptarë dhe anëtarëve të Këshillit të familjarëve të individëve të proceseve të montuara dhe të fabrikuara”,- tha kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë Shqiptarë, Shpëtim Pollozhani.
 
Protestuesit përkujtuan se dënimet që u jepen shqiptarëve për vepra të njëjta nuk janë njësoj si për maqedonasit dhe keqtrajtimi i tyre vazhdon edhe në burgjet ku vuajnë dënimin dhe kërkojnë që të ndërhyjnë edhe organizmat e tjerë, si Kryqi dhe Gjysmëhëna e Kuqe dhe Komiteti i Helsinkit.
 
GAZMEND REXHEPI