Maqedoni
Bruksel, çështja e emrit edhe mes Merkelit dhe Ciprasit
23.02.2018 18:51
Çështja e emrit dhe konkluzat e bisedës së të mërkurës mes kryeministrit, Zoran Zaev...

Çështja e emrit dhe konkluzat e bisedës së të mërkurës mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, kanë qenë fokusi i bisedës së shkurtër të kryeministrit grek, Aleksis Cipras, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, në Bruksel, në kuadër të takimit joformal të liderëve të vendeve anëtare të BE-së.
Sipas mediave greke, mesazhi që ka marrë kryeministri grek, Cipras, ka qenë se Gjermania do të vazhdojë t’i inkurajojë palët për të gjetur zgjidhje për emrin, ndërsa kryeministri Cipras ka ripërsëritur qëndrimin e palës greke që të gjendet zgjidhje e qëndrueshme, stabile dhe e pranuar nga të dyja palët, konkretisht emër i përgjithshëm me përcaktim gjeografik.
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, në këtë drejtim ka deklaruar se Bullgaria vetëm se dëshiron ta ndihmojë Shkupin dhe Athinën për tejkalimin e kontestit, pa pasur qëllim tjetër.
“Nuk kam ndjerë pasiguri. Nuk mund të flas në emër të kolegëve tjerë si ata e shohin këtë pikë, bile edhe në temën Greqi – Maqedoni, që më mirë do të tingëllonte Athinë - Shkup. Ne ndihmojmë dhe nuk duam të lëmë përshtypje se dikujt i përzihemi në punët e brendshme. Ky është problemi i palëve të përfshira në të”,- tha kryeministri bullgar, Bojko Borisov.
Në drejtim të pasigurisë dhe migracionit ilegal, që ishte sot temë kryesore e takimit joformal të liderëve të vendeve të BE-së, kancelarja Merkel tha se Gjermania do të angazhohet me metoda të ndryshme për të prodhuar siguri dhe zhvillim në rajonet që preken nga këto dukuri.
“Janë paraparë mjetet e përbashkëta për luftë kundër terrorizmit. Gjermania ka ndarë 1, 7 miliard euro për zhvillimin e rajoneve, sigurimin dhe stabilitetin”,- u shpreh kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Konferenca e sotme ka paraqitur vullnetin tonë për të luftuar terrorizmin, migrimin ilegal, tregtinë me njerëz, me armë dhe mjete narkotike, ka thënë në takimin joformal të krerëve të BE-së kryetari francez, Emanuel Makron.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
