Vlerësime të ndryshme për deklaratën e Merkelit
Zyberi është i mendimit se mospërfillja e apeleve ndërkombëtare për gjetjen e zgjidhjes, vetëm se po shpie mbrapa vendin……

Thirrjen e kancelares gjermane, Merkel, që kontesti me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë medoemos të zgjidhet, madje edhe nëse të dyja palët do të zhgënjehen, analisti, Naser Zyberi, e vlerëson si apel i nevojshëm ndërkombëtar, por politika maqedonase nuk ndërron qëndrim për të lëvizur vendin drejt BE-së.
Zyberi është i mendimit se mospërfillja e apeleve ndërkombëtare për gjetjen e zgjidhjes, vetëm se po shpie mbrapa vendin. Edhe sikur tash menjëherë Maqedonia të zgjedh kontestin e emrit, do t’i duhet një periudhë 5 vjeçare për tu krijuar kushte për anëtarësim të plotë, vlerëson Zyberi.
“Maqedonia edhe po të merr datë për fillim të menjëhershëm të negociatave, asaj do t’i duhet një periudhë minimale 5 vjeçare që t’i përfundon bisedat për harmonizimin e të gjitha kritereve në një fazë deri në 3 vjet, për adoptimin e legjislaturës, respektivisht faza e pushimit siç quhet për anëtarësim të plotë. VMRO- DPMNE-ja mbetet në qëndrimet e veta dhe ajo mbetet partia në pushtet dhe aktualisht e vetme e përfaqësuar në Parlament nga pala maqedonase dhe BDI në anën tjetër, e cila permanent mundohet që të dilet nga kjo situatë, por është e pafuqishme për të detyruar partnerin e koalicionit që të ndërron qëndrimin në lidhje me këtë çështje”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
Nga ana tjetër, analisti, Risto Nikovski, vlerëson se deklarata e kancelares Merkel, haptazi tregon se tanimë identiteti maqedonas gjendet mbi tavolinë. Sipas tij, infiltrimi i Gjermanisë në kontestin e emrit, bart me vete rrezikshmëri të madhe për Maqedoninë dhe kjo duhet të parandalohet, sepse në të kundërtën humb identiteti maqedonas.
“Mendoj që Gjermania do të bëjë çmos që të arrihet ndonjë zgjidhje, e cila sipas të gjitha paralajmërimeve do të jetë e rrezikshme për ne. Duhet patjetër të jemi të kujdesshëm, sepse kjo deklaratë supozoj që do të thotë “Në rregull, do ta jepni emrin, ndërsa ne do t’ua garantojmë identitetin” dhe kjo është e pamundur, identitetin s’mundet askush ta garantojë, ose ekziston ose nuk ekziston. Prandaj mendoj që kjo është lojë e rrezikshme për ne, duhet të kemi një strategji, sepse në të kundërtën do të jemi viktimë historike”- theksoi analisti, Risto Nikovski.
Analistët, të ndarë në mendime, Zyberi vlerëson se vendi duhet ta zgjidhë sa më shpejtë çështjen e emrit dhe të merr “dritë jeshile” për në BE dhe NATO, ndërsa Nikovski është i mendimit se Maqedonia nuk duhet të lëshojë pe kur bëhet fjalë për çështjen e emrit, sepse rrezikohet identiteti maqedonas. (Sanije Kasami,TVM2)
