Veseli dhe Haradinaj: U arrit marrëveshja, demarkacioni ratifikohet të mërkurën
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj....

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes për ratifikimin e demarkacionit.
AAK-ja e kryeminsitrit Haradinaj ka hequr dorë nga insistimi që në Ligjin për Demarkacionin të përfshihet dhe raporti i komisionit të ri shtetëror, i njohur si “komisioni Bulliqi”, për çka insistonte LDK-ja.
Përmes një postimi në Facebook Veseli ka thënë se është arritur marrëveshja në mes të faktorit politik shqiptar, pa Vetëvendosjen.
“Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv”. “Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, ka shkruar Veseli në facebook.
Edhe kryeministri Haradinaj, konfirmoi arritjen e marrëveshjes. “Qytetarëve të Republikës së Kosovës ua konfirmoj se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, që siguron unitet politik në parlament”, ka shkruar Haradinaj, në Facebook.
Seanca në kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, është caktuar për të mërkuren, pas disa shtyerjeve për shkak të mungesës së dy të treatave të deputetëve që do të votonin pro ratifikimit.
