Junker inkurajon Maqedoninë, jeni në rrugë të mirë

25.02.2018 18:42

Nuk jam në Shkup për të caktuar datën e çeljes së negociatave me BE-në por për të thënë se Maqedonia është në rrugë të mbarë...

Nuk jam në Shkup për të caktuar datën e çeljes së negociatave me BE-në por për të thënë se Maqedonia është në rrugë të mbarë.

Kështu deklaroi presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker i cili i shoqëruar nga komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han qëndroi në Shkup.Për çështjen e emrit Junker tha se u mbetet dy vendeve fqinje ta zgjidhin këtë problem.

“Jam i kënaqur që vendi juaj veçmas viteve të fundit ka shënuar përparim që do t’i ndihmojnë ti afrohet BE-së.Keni  zbatuar reforma të cilat ndonjëherë e habitën edhe botën për thellimin e vlerave që duhet të mbeten tuajat. Arritët marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bullgarinë gjë që ua ka ngritur reputacionin në BE dhe dua ta vë në pah trimërinë e kryeministrit tuaj  që e ka bërë këtë. Sa i përket emrit të vendit, nuk mund të ju tregoj çfarë të bëni sepse mbetet përgjegjësia në ju ta zgjidhni këtë problem. Nëse vazhdoni të zbatoni reformat, për disa muaj do të mund që Komisioni të rekomandojë deri te Këshilli çeljen e bisedimeve për anëtarësim” – tha kryetari i KS-së, Jean Claude Juncker.

Nga ana tjetër kryeministri Zoran Zaev edhe një herë u shpreh i bindur se në qershor vendi do i nis bisedimet për integrim në BE dhe tha se kanë mbetur edhe pak aktivitete që viti 2018 të jetë historik për Maqedoninë.

Ndërkaq lidhur me kontestin për emrin ai edhe një herë përsëriti se do të pranojë emër me përcaktim gjeografik duke respektuar dinjitetin dhe identitetin e dy popujve dhe shteteve.

“Nga ana jonë afirmojmë dëshirën e madhe dhe përkushtim për reforma të brendshme thelbësore dhe me vendoshmëri ta kalojmë këtë rrugë drejt BE-së. Jemi të bindur që në qershorë të vitit 2018, këshilli di të marrë vendim për çeljen e negociatave. Po punojmë në sigurimin e mbështetjes nga të gjitha vendet anëtare. Për Qeverinë e Maqedonisë është i pranueshëm emër me përcaktim gjeografik që do të bëjë ndarje mes shtetit tonë dhe rajonit në Greqi. Megjithatë, insistojmë në një zgjidhje që do të mundësojë mbyllje të përhershme dhe të qëndrueshme të kontestit me respektimin e dinjitetit dhe identitetit të dy popujve dhe dy shteteve” – u shpreh Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Presidenti i KE-së Zhan Klod Junker dhe delegacioni i Bashkimit Evropian është takuar edhe me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, ndërkaq më pas, është nisur për vizitë në Shqipëri. (Naim Ramadani, TVM2)