Koreja Veriore e gatshme për bisedime me SHBA-të

25.02.2018 14:59

Koreja Jugore ka deklaruar se Koreja Veriore është e gatshme për bisedime me Shtetet e Bashkuara.....

Koreja Jugore ka deklaruar se Koreja Veriore është e gatshme për bisedime me Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e zyrës së presidentit jug-korean, Moon Jae In, ka ardhur vetëm disa orë, pasi Pheniani ka dënuar sanksionet e fundit që kanë shënjestruar regjimin, duke akuzuar Uashingtonin se po tenton të ndalojë përmirësimin e marrëdhënieve me Seulin gjatë Lojërave Olimpike Dimërore.

Para fillimit të ceremonisë së mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pjongçang, Moon ëshë takuar me delegacionin olimpik të Koresë Veriore, të udhëhequr nga gjenerali, Kim Yong Cho. Kim ka thënë në takim se Pheniani, “synon të zhvillojë dialogun Kore Veriore-SHBA”. 

Koreja Veriore ka thënë disa herë se është e përgatitur për të nisur negociata me Uashingtonin pa parakushte, derisa Shtetet e Bashkuara kanë deklarauar se Pheniani duhet që fillimisht të marrë hapa konkret sa i përket procesit të denuklearizimit. Ndërkohë Koreja Veriore i ka dënuar sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara për regjimin verikorean, duke akuzuar Uashingtonin se po tenton të pengojë rregullimin e marrëdhënieve me Korenë Jugore gjatë kohës sa janë mbajtur Lojërat Olimpike Dimërore.

Deklarata e publikuar nga agjencia e lajmeve të Koresë Veriore, KCNA, ka ardhur vetëm disa ditë, pasi administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar për masa të reja ndëshkuese, duke synuar rritjen e presionit ndaj Phenianit për programin e saj të armëve bërthamore.