Vazhdojnë bombardimet në Siri, regjimi i Asadit injoron vendimin e OKB-së
Pak orë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për një armëpushim 30 ditor në Siri...

Pak orë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për një armëpushim 30 ditor në Siri, që duhej implementuar pa vonesë, ushtria e Bashar Al Asadit rifilloi sulmet mbi një enklavë të kontrolluar nga rebelët.
Qindra njerëz janë vrarë në vetëm një javë bombardime mbi zonën e Gutës Lindore.
Rezoluta e OKB-së u miratua për të lejuar dërgimin e ndihmave dhe për të kryer evakuime mjekësore nga Guta Lindore, por operacionet ndaj grupeve më të mëdha xhihadiste nuk mbulohen nga ajo.
Qeveria siriane i konsideron të gjithë ata që janë kundër saj si terroristë dhe e vlerëson rezolutën si joefektive.
Guta Lindore është zona e fundit e kontrolluar nga rebelët pranë Damaskut dhe marrja e saj do të ishte një fitore e madhe simbolike për regjimin e Bashar Al Asadit.
