Botë

Bruksel, vazhdon dialogu Prishtinë - Beograd

26.02.2018 12:45

Nën patronazhin e BE-së sot në Bruksel vazhdon dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel teknik...

Sipas paralajmërimeve, parashikohet që bisedimet të zgjasin dy ditë dhe në to të bisedohet për implementimin e dispozitave akoma të pazbatuara nga Marrëveshja e Brukselit, para së gjithash rreth formimit të Bashkësisë së komunave serbe.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Avni Arifi, ditën e djeshme deklaroi se në takimin me palën serbe do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur deri më tani.

Arifi ditë më parë ka thënë se po synojnë ta përmbyllin dialogun në tërësi dhe duhet të ketë, sipas tij, zbatueshmëri të plotë për secilën marrëveshje veç e veç. Kryesuesi i delegacionit të Kosovës ka thënë se qëndrimi për Asociacionin do të jetë në linjë me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, duke e respektuar, sipas tij, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila herën e kaluar kishte gjetur 22 shkelje të Kushtetutës së vendit në tekstin e këtij mekanizmi.

Sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje të reja në mes Prishtinës dhe Beogradit pa u implementuar në tërësi marrëveshjet e arritura më parë.

Ky raund i bisedimeve është dashur të mbahet më 16 janar, por u anulua për shkak të vrasjes së një prej liderëve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviqit.