Maqedoni
Zgjidhet kontesti në Fakultetin e Pedagogjisë, studentëve u pranohet provimi i dhënë në 2014
26.02.2018 14:13
Studentët e Fakultetit të Pedagogjisë në Shkup nuk do të duhet t’i nënshtrohen edhe një herë provimit...

Studentët e Fakultetit të Pedagogjisë në Shkup nuk do të duhet t’i nënshtrohen edhe një herë provimit në lëndën Psikologjia humane mes dy gjinive, të cilin e kanë likuiduar në vitin 2014.
Ky është vendimi përfundimtar i dekanatit, i marrë pas një mbledhjeje që zgjati një orë.
Gjithsesi, pas përfundimit të mbledhjes, rektori, Emil Sulejmani, refuzoi të prononcohet për TVM2 duke thënë se nuk ka kohë dhe u largua, por paraprakisht u shpreh se kjo çështje ka përfunduar në favor të studentëve.
Studentët thonë se kjo ishte zgjidhja e duhur, pasi ata provimin e kanë dhënë me sukses që në 2014 e nuk janë fajtorë për problemet që më pas kanë dalë në sipërfaqe në lidhje me magjistraturën e profesorit të lëndës.
Studentët janë të kënaqur që çështja u zgjidh në favor të tyre dhe falënderojnë edhe TVM2 për aktualizimin e problemit.
“Kohë më parë doli dekani dhe u deklarua se puna është kryer me sukses, më në fund drejtësia është në vend dhe u vërtetua se ne nuk kemi faj. Kjo ishte vetëm një vërtetim nga ana e rektoratit. Po ashtu falënderojnë edhe MTV2 që ishte me ne bashkë në çdo moment dhe falë jush kjo punë u bë e madhe dhe drejtësia erdhi në vend”,- u shpreh një student.
“Vendimi që u soll ishte në favorin tonë dhe tani lirisht mundemi t’i mbrojmë temat dhe provimi është pranuar. Po ashtu i falënderojmë edhe mediat që na përkrahën për këtë hap që morëm ne”,- theksoi një studente.
Ky vendim u mundësoi sot studentëve të mbrojnë pa asnjë problem punimin e diplomës. Dekani Sulejmani të premten theksoi se ky është problem teknik dhe se përgjegjësia për të i takon shërbimeve studentore.
FLUTURA LATIFI
