Maqedoni

Gazetarët pajisen me certifikata sigurie, ShGM: Ivanovi po tenton të heshtë mediat

26.02.2018 15:27

Në emër të transparencës më të madhe të institucionit, kabineti i presidentit, Gjorge Ivanov, rreth 20 gazetarëve të caktuar u ka ofruar certifikatë të sigurisë....

ShGM alarmon se me shpërndarjen e këtyre certifikatave presidenti po përpiqet të heshtë mediat, pasi poseduesit e këtyre certifikatave nuk mund të shpërndajnë informacione të caktuara, sepse kjo iu ndalohet që në momentin e nënshkrimit.
 
ShGM thotë se gazetarët që kanë nënshkruar për marrjen e certifikatave nuk kanë qenë të informuar për të drejtat dhe detyrimet që i kanë me marrjen e certifikatës të cilën e kanë nënshkruar pasi janë thirrur në brifing nga ana e kabinetit të presidentit. 
 
“Ne besojmë se ndarja e certifikatave të tilla për gazetarët nga ana e shërbimeve të sigurisë paraqet presion mbi profesionin e gazetarëve, sepse gazetarët nga mbrojtësit e interesit publik shndërrohen në nëpunës shtetërorë. Veprimi i tillë i presidentit Ivanov cenon lirinë e mediave, sepse lidhja e gazetarëve me shërbimet e sigurisë vetëm se do të forcojë vetëcensurën në media”,- u shpreh kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Nga ShGM kërkojnë që Ivanovi të urdhërojë këshilltarët e tij për të ndaluar lëshimin e certifikatave të sigurisë për gazetarët, ndërsa ata që veç më kanë marrë certifikatë të heqin dorë nga e njëjta. 
 
ERSAN PAJAZITI