Maqedoni

VMRO-DPMNE: Nuk kthehemi në Kuvend me minus 12% deputetë

26.02.2018 15:54

Deputetët e VMRO-së nuk do të marrin pjesë në punën e komisioneve kuvendore...

Deputetët e VMRO-së nuk do të marrin pjesë në punën e komisioneve kuvendore, duke vazhduar kështu mbështetjen për gjashtë kolegët e tyre të paraburgosur për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, vitin e kaluar.
 
Nga VMRO thonë se kanë njoftuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sipas tyre, për shkeljen e të drejtave të njeriut, si dhe me faktin se deputeti, Krsto Mukovski, tashmë një javë ka hyrë në grevë urie dhe është në gjendje jo të mirë shëndetësore. VMRO thotë se kushtet për punë në kuvend duhet t’i sigurojë shumica parlamentare.
 
“Për momentin, LSDM e ka shumicën parlamentare dhe e ka për detyrë të sigurojë të gjitha kushtet për funksionim të pandërprerë të kuvendit. Vlerësoj se në këtë moment, kur 12% e grupit tonë parlamentar, apo gjashtë deputetë, janë në paraburgim, nuk mund të flasim për kushte që ne të marrim pjesë në punën e parlamentit. Sot kishim takim me përfaqësuesin politik për çështje juridike pranë OSBE-së, Xhef Bilin, të cilin e njoftuam në mënyrë të drejtpërdrejtë me vërejtjet tona për shkeljen e të drejtave të njeriut në lidhje me të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, dhe vërejtjet rreth shkeljes së procedurave ligjore dhe policore gjatë arrestimit të deputetëve para se të thirrej paraprakisht një seancë ku të njëjtëve do t’u merrej mandati, në pajtim me rregulloren e Kuvendit”,- deklaroi Goran Manojloski nga VMRO-DPMNE.