Dialogu i munguar ndërpartiak, Xhaferi: Кjo “sëmundje fëmijësh” do të tejkalohet, VMRO-DPMNE: Nuk kthehemi në Kuvend me minus 12% deputetë

26.02.2018 16:09

Eurodeputetët, Vajgël, Kukan dhe Flankenshtain, në Shkup, kanë ardhur edhe me misionin e ringjalljes së iniciativës “Zhan Mone”...

Eurodeputetët, Vajgël, Kukan dhe Flankenshtain, në Shkup, kanë ardhur edhe me misionin e ringjalljes së iniciativës “Zhan Mone”, me qëllim të rikthimit të dialogut mes partive politike. Për këtë qëllim janë edhe  takimet me kreun e VMRO-së, Kristian Mickovskin, nënkryetaren e LSDM-së, Radmilla Sheqerinskën dhe kreun e Kuvendit, Talat Xhaferin.

Eurodeputetët presin që qeveria dhe opozita të vendosin partneritet konstruktiv në marrëdhëniet mes tyre dhe tashmë disa herë kanë potencuar se për dialog nevojiten dy palë. Kryeparlamentari Xhaferi thotë se përgjegjësinë për dialog konstruktiv duhet ta mbajë edhe opozita.

“Për të pasur dinamikë të vërtetë dhe sukses në procesin reformues, të njohur si plani 3-6-9, nuk kërkohet vetëm angazhim i shumicës parlamentare dhe qeverisë, por përfshirje edhe e opozitës. Është e vërtetë se shumica duhet të krijojë kushte që opozita të mundet në mënyrë të lirë e demokratike të artikulojë interesat e saj, por edhe opozita duhet të marrë një pjesë të përgjegjësisë për situatën e përgjithshme. Mendoj se tek ne si në të gjithë rajonin, kur jemi në opozitë sikur i harrojmë përgjegjësitë tona. Por, shpresoj që shumë shpejt ta tejkalojmë këtë “sëmundje fëmijësh””,- u shpreh kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.

Por, VMRO thotë se nuk ka ndërmend të kthehet në Kuvend, duke vazhduar kështu mbështetjen për gjashtë kolegët e paraburgosur për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, vitin e kaluar.

“Për momentin, LSDM e ka shumicën parlamentare dhe e ka për detyrë të sigurojë të gjitha kushtet për funksionim të pandërprerë të kuvendit. Vlerësoj se në këtë moment kur 12% e grupit  tonë parlamentar, apo gjashtë deputetë, janë në paraburgim, nuk mund të flasim për kushte që ne të marrim pjesë në punën e parlamentit”,- tha Goran Manojloski nga VMRO-DPMNE.

Procesi “ Zhan Mone” u iniciua në fund të vitit të kaluar dhe sesioni i parë ishte paraparë të mbahet në fund të janarit në Paris. Por, dialogu u shty, e si termin i ri përmendet fundi i muajit mars. Vendosja e dialogut ndërpartiak ishte edhe temë e takimit në Londër, në kuadër të institutit “Viston Park”.

Dialogu konstruktiv është i domosdoshëm sidomos në këtë periudhë të ndjeshme për Kuvendin Republikan, pasi gjendemi në një javë kur në seancë duhet të rikthehet Ligji për gjuhët, i cili nuk u dekretua nga presidenti Ivanov, ndërsa VMRO po vazhdon të pengojë miratimin e tij me dorëzimin e 35.569  amendamenteve, të cilat nëse shqyrtohen veç e veç, do të bllokonin për më së paku 6 muaj punën e shtëpisë ligjdhënëse. (Gazmend Rexhepi, TVM2)