Borë në Tetovë, probleme në malësinë e Sharrit
Gjendja e vështirë e rrugëve të malësisë së Sharrit pas reshjeve të borës ditëve të fundit....

Gjendja e vështirë e rrugëve të malësisë së Sharrit pas reshjeve të borës ditëve të fundit ka bërë që banorët e fshatrave Shipkovicë, Brodec, Veshallë dhe Bozofcë, të lëvizin me vështirësi të madhe.
Banorët kërkojnë t’u hapen rrugët, sidomos ajo që të çon për në ambulancën e Shipkovicës, e cila u shërben katër fshatrave të malësisë. Ata ankohen se borëpastruesit nuk punojnë pa ndërprerë.
Rrugët e malësisë së Tetovës vështirë kalohen. Banorët ankohen se ndërmarrja e cila e pastron këtë rrugë vetëm një herë në 24 orë e kalon ekskavatorin. Ndërkohë më e vështirë është rruga e cila lidh ambulancën e fshatit Shipkovicë dhe zyrën e vendin, ku kjo ambulancë u del në ndihmë edhe katër fshatrave, si Shipkovicës, Brodecit, Veshallës dhe Bozofcës.
Edhe rruga Sellcë -Vicës është tepër e vështirë të kalohet. Banorët thonë se makineritë fillojnë të pastrojnë vetëm kur vijnë mediat apo kontrollet nga komuna.
“Aspak nuk e pastrojnë. Siç shihet, te ambulanca aty asnjëherë nuk kalon ekskavatori. Jo në ditë, në dy ditë shiheni, diku e ngre lugën e ekskavatorit e nuk e lëshon. Këndej asnjëherë nuk e pastrojnë, duhet së paku tek shkolla, tek ambulanca, tek ato më kryesoret”,- u shpreh një banor.
“E patë, ekskavatori rrinte, aty falë jush që erdhët filloi, pak, se ndryshe”,- theksoi një banor.
“Deri tani jo, më vështirë se në malësi ku mund të ketë, askund. Këtu është vështirë, këtu ka nevojë, kjo duhet të pastrohet para, pastaj pjesët e tjera. Ja, vetura mbrapa, çka të bëj, ka mbetur. Natyrisht se duhet të pastrohet kjo, jo një herë në 24 orë”,- tha një banor.
“Vështirë është boll, po s'kemi çka bëjmë. Rrallë herë vijnë, mbrëmë nuk kanë qenë, tani kanë pastruar, çka duhet tani, nxënësit kanë mbetur pa shkuar në shkollë”,- u shpreh një banor.
Nga komuna e Tetovës thonë se ekipet e tyre janë në terren dhe po punohet për pastrimin e rrugëve nëpër malësi dhe në qytet, por thonë se nuk kanë dijeni për rrugën që të çon në ambulancën e Shipkovicës, e cila i shërben katër fshatrave të malësisë.
“Një informacion të tillë ne nuk e kemi pasur në shtabin e krijuar nga kryetarja e komunës së Tetovës. Megjithatë, pas paraqitjes tuaj dhe unë mund të paraqes një numër celulari ku mund të drejtohen banorët për çdo kërkesë të tyre, ekipet tona u sigurojnë se do të intervenojnë”- deklaroi zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu.
Edhe rrugët dytësore dhe trotuaret nëpër Tetovë vazhdojnë të jenë të papastruara, ndërsa rrugët kryesore nëpër Tetovë janë të lëvizshme. (Visar Sadiki, TVM2)
