Dialogu i munguar ndërpartiak, eurodeputetët: Për reforma duhet bashkëpunim; Xhaferi: Përgjegjësi të marrë edhe opozita
Eurodeputetët, Vajgël dhe Kukan, në Shkup kanë ardhur me misionin e ringjalljes së iniciativës “Zhan Mone”....

Eurodeputetët, Vajgël dhe Kukan, në Shkup kanë ardhur me misionin e ringjalljes së iniciativës “Zhan Mone”, me qëllim të rikthimit të dialogut mes partive politike. Eurodeputetët presin që qeveria dhe opozita të vendosin partneritet konstruktiv në marrëdhëniet mes tyre dhe tashmë disa herë kanë potencuar se për dialog nevojiten dy palë.
Këtë ata e ripotencuan edhe në kuadër të konferencës së 14 të komisioneve parlamentare për çështje dhe integrime parlamentare të vendeve të EJL-së të inkuadruara në MSA.
“Maqedonia nuk është vend tjetër nga ata të rajonit. Ju duhet bashkëpunim në parlament të Maqedonisë dhe gjithashtu keni ndihmën e PE-së për të krijuar, siç është dialogu produktiv “Zhan Mone”. Ju mediat njëzëri mund t’u kërkoni parlamentarëve që të kenë unanimitet kur bëhet fjalë për çështje që prekin shtetin. Pra, shteti përpara interesave politike”,- theksoi eurodeputeti, Ivo Vajgëll.
“Në secilën shoqëri demokratike, në shumë çështje opozita është pjesa legjitime, sepse opozita i ka detyrat e veta, por në disa çështje që janë me rëndësi për të ardhmen e vendit, si anëtarësimi në BE dhe në NATO, opozita duhet të ketë rol pozitiv dhe konstruktiv”,- tha eurodeputeti, Eduard Kukan.
“Për integrim të vendit të gjitha forcat politike duhet të shoqërohen në një agjendë pro-evropiane dhe pro-reformuese. Roli i opozitës është diçka e pazëvendësueshme”- u shpreh ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.
Por, kryeparlamentari Xhaferi thotë se përgjegjësinë për dialog konstruktiv duhet ta mbajë edhe opozita.
“Për të pasur dinamikë të vërtetë dhe sukses në procesin reformues, të njohur si plani 3-6-9, nuk kërkohet vetëm angazhimi i shumicës parlamentare dhe qeverisë, por përfshirja edhe e opozitës. Është e vërtetë se shumica duhet të krijojë kushte që opozita të mundet në mënyrë të lirë e demokratike të artikulojë interesat e saj, por edhe opozita duhet të marrë një pjesë të përgjegjësisë për situatën e përgjithshme. Kur jemi në opozitë sikur i harrojmë përgjegjësitë tona personale”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
BE është seriozisht e interesuar të integrojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor brenda vetes, tha anëtari i Komitetit për çështje europiane, Kristian Vigenin, i cili sugjeroi ndërlidhje më të fuqishme mes vendeve ballkanike por edhe me vendet anëtare të BE-së. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
