Zaevi: Nuk ka arsye të ndryshohet kushtetuta
Kryeministri, Zoran Zaev, në një intervistë për javoren gjermane Shpigel....

Kryeministri, Zoran Zaev, në një intervistë për javoren gjermane Shpigel, thotë se garancia më e mirë për palën greke në zgjidhjen e kontestit për emrin e Maqedonisë do të ishte që marrëveshja të ketë peshën e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Por, Zaevi nuk mendon se Maqedonia duhet të ndryshojë kushtetutën për të kënaqur palën greke.
“Nuk shoh arsye për ndryshim të Kushtetutës, nuk do të ishte mirë për krenarinë tonë. Greqisë i nevojitemi si partner, por jo si partner pa dinjitet. Kushtetuta mund të ndryshohet, e pastaj ai ndryshim mund të korrigjohet, por kjo nuk është zgjidhje. Më e rëndësishmja për Greqinë është që të ketë garanci për zgjidhjen që do të jetë valide. Kjo është pesha e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ratifikohen dhe në këtë mënyrë bëhen ndërkombëtarisht valide”,- tha Zaevi.
Ai njëkohësisht ka hedhur poshtë kërkesën e palës greke, që kompromisi për emrin të mos mund të përkthehet në gjuhë tjera, por të shfrytëzohet në transkriptin e tij origjinal.
“A duhet ta detyrojmë kancelarin Merkel ose presidentin Tramp të thonë “Severna Makedonia”. Ky do të ishte një precedent ndërkombëtar”,- theksoi Zaevi.
Nuk dihet nëse përmendja e emrit “Maqedonia Veriore” në intervistë është thjesht rastësi apo është një ndër propozimet për emrin për të cilat Maqedonia po mendon seriozisht. Kjo mbetet të shihet në vazhdim të negociatave.
Zaevi në intervistë gjithashtu hedh poshtë mundësinë që të mos gjendet ndonjë zgjidhje. Sipas tij, Maqedonia është një shoqëri multietnike, jostabiliteti i të cilës do të ndikonte në të gjithë rajonin. “Mossuksesi nuk mund të paramendohet për Maqedoninë, për mbarë Ballkanin Perëndimor, por edhe për BE-në”,- deklaroi kryeministri Zaev në intervistën për Shpigel.
