Kërçovë, disa fshatra pa energji elektrike e pa ujë

26.02.2018 18:39

Reshjet e borës në rajonin e Kërçovës kanë krijuar probleme të mëdha....

Reshjet e borës në rajonin e Kërçovës kanë krijuar probleme të mëdha në qarkullimin rrugor e sidomos në zonat rurale, ndërkohë që disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.

Reshjet e borës që filluan prej ditës së djeshme vazhdojnë të bien me intensitet të njëjtë edhe gjatë ditës së sotme, dhe ato kanë shkaktuar një varg problemesh në qarkullimin rrugor të Kërçovës. Është vështirësuar tejmase komunikacioni në aksin rrugor Strazhë dhe Presekë, dhe për këto arsye që nga dita e djeshme është vendosur ndalesa e qarkullimit për automjetet e tonazhit të rëndë në drejtim të Gostivarit dhe Strugës.

Vështirësi janë krijuar edhe në qytetin e Kërçovës, por, siç njofton drejtori i NP “Komunalec”, Zenel Jonuzi, situata mbahet nën kontroll sepse në të gjitha rrugët dhe rrugicat janë hedhur preparatet përkatëse dhe ekipet e ndërmarrjes i kanë marrë të gjitha masat për pastrimin e borës dhe vendosjen e kushteve për qarkullimin normal të automjeteve.

Një situatë më të rënduar të lëvizjes kemi në vendbanimet rurale ku si pasojë e reshjeve të borës janë shkaktuar edhe defekte në rrjetin elektrik dhe që nga dita e djeshme në disa fshatra është ndërprerë furnizimi me energji elektrike. Nga kompania EVN informojnë se ekipet e saj ndodhen në terren dhe punojnë intensivisht në sanimin e defekteve.

Si pasojë e reshjeve të borës në disa fshatra të komunës së Kërçovës ka pasur edhe ndërprerje të furnizimin me ujë të pijshëm. (Shaban Dalipi, TVM2)