Junckeri: Shqipëria të jetë stabilizator i Ballkanit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në një takim presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker...

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në një takim presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, me pjesëmarrjen e komisionerit për zgjerim, Johannes Hahn. Gjatë bashkëbisedimit, presidenti Meta foli për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke vlerësuar se rezultatet janë ato që do të rrisin besueshmërinë si te qytetarët shqiptarë ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së. Gjatë këtij takimi mësohet që Junckeri t’i jetë shprehur Metës se pret që vendi të jetë një stabilizues në rajon.
“Hapa të rëndësishëm janë bërë nga Shqipëria, por reformat duhet të vazhdojnë me vendosmëri, ndaj duhet përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve. Pres që Shqipëria të jetë një stabilizues në rajon”,- ka thënë Junckeri.
Presidenti Meta ndau të njëjtën bindje mbi rëndësinë që ka forcimi i rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon.
Më tej, duke u ndalur tek zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Meta inkurajoi heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me besimin se Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbyllet me sukses.
Një natë më parë, Junckeri zhvilloi një takim edhe me kryeministrin, Edi Rama, të cilit i tha se më parë duhen zgjidhur çështjet e hapura me Greqinë dhe më pas i hapë rrugë çeljes së negociatave. Në këtë kuadër, Junkeri nuk dha një datë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. (Luljeta Ndoka, TVM2)
