Maqedoni

Promovohet drughelp.eu, vegla për vetëvlerësim të rrezikut nga droga

27.02.2018 15:53

Përdoruesit e substancave narkotike do të mund të bëjnë vetë testim dhe të informohen në lidhje me rrezikun e tyre nga varshmëria e drogës përmes veglës së internetit drughelp.eu.

Nga Qendra për preventimin dhe trajtimin e të varurve nga droga thonë se ky aplikacion  do t’u ndihmojë këtyre personave të marrin rekomandime se çfarë duhet bërë. Kjo është mënyrë efikase për të shtyrë këta persona të trajtohen, pasi ata që bëjnë testin online kanë të drejtë të ruajnë anonimitetin e tyre dhe nuk u kërkohet regjistrim me të dhëna personale. 
 
“Qëllimi i kësaj vegle nuk është vetëm ne të marrim të dhëna epidemiologjike se çka po na ndodh në vend, se për çka duhet të kemi kujdes, por qëllimi i kësaj është që t’u ndihmohet personave të cilët përdorin substanca narkotike ta vlerësojnë rrezikun e tyre dhe të marrin intervenim të shpejtë online, pra të jenë të informuar se çka është e nevojshme për ta dhe ku duhet të drejtohen për ndihmë”,- deklaroi korrespondentja e grupit Pompidu, Liljana Ignjatova.
 
Nga rezultatet e deritanishme të testimeve vërehet se pa rrezik janë 16% e të testuarve, 70% kanë hyrë në fazën e përdorimit të dëmshëm, ndërsa tek 14% e personave është detektuar varshmëria, të cilët urgjentisht duhet të kërkojnë ndihmë nga qendrat për trajtim nga droga. Ky projekt është mbështetur financiarisht nga grupi Pompidu i Këshillit Evropian. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI