Maqedoni
Zhvillim i politikave në nivel lokal, BE trajnime për të rinjtë në mjediset rurale
27.02.2018 16:26
Të rinjtë nga mjedise rurale duhet të motivohen të mos migrojnë në qendrat urbane apo jashtë vendit...

Të rinjtë nga mjedise rurale duhet të motivohen të mos migrojnë në qendrat urbane apo jashtë vendit dhe kjo duhet bërë përmes përforcimit të kapaciteteve të vetëqeverisjeve lokale dhe ofrimin e projekteve në nivel lokal për inkuadrimin e të rinjve në projektet që kanë për qëllim integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE. Projekti në fjalë përmban trajnime për të rinjtë për zhvillimin e politikave në nivel lokal dhe do të implementohet nga Fondacioni i Rrjeteve rurale të Maqedonisë, Kroacisë dhe Serbisë.
“Standardin jetësor ne nuk mundemi ta përmirësojmë nëse të rinjtë tanë nuk i përmirësojnë kapacitetet e tyre, të aftësohen që përmes programeve për edukim dhe riaftësim të jenë konkurrues në tregun e punës. Duhet që përmes trajnimeve të ofruara të ndikojnë në politikat zhvillimore, të sigurojnë hapësirë për zhvillimin e ekonomisë në mjediset rurale”,- u shpreh përfaqësuesi i Rrjetit të mjediseve rurale, Sasho Petrovski.
“Qasja lider është masë e re që duhet të startojë, realizimi i së cilës bëhet përmes IPARD programit, ku të rinjtë do jenë pjesëmarrës aktivë në krijimin dhe implementimin e politikave në nivel lokal”,- theksoi përfaqësuesi i Rrjetit rural të Maqedonisë, Petar Georgievski.
“Ideja jonë është që të ofrojmë përvojën tonë sepse në Maqedoni ekzistojnë kushtet që e njëjta të përkrahet nga vetëqeverisjet lokale, shteti, por edhe organizatat ndërkombëtare, që projektet të realizohen në praktikë, të mos mbeten vetëm të shkruara në letër”,- tha përfaqësuesi i Rrjetit rural të Serbisë, Igor Stoiq.
Projekti është përkrahur nga BE-ja në vlerë prej 163.785 euro dhe do të realizohet deri në qershor të vitit 2019.
FLUTURA LATIFI
