Kuvendi dhe sektori civil, progres modest në bashkëpunimin midis tyre
Bashkëpunimi midis deputetëve dhe sektorit civil është akoma në nivel jo të kënaqshëm....

Bashkëpunimi midis deputetëve dhe sektorit civil është akoma në nivel jo të kënaqshëm, thonë rezultatet e analizës dyvjeçare “Qytetarët në Kuvend”, që e ka realizuar Fondacioni për Demokraci “Vestminster”, sipas të cilës është shënuar progres tejet i vogël në këtë drejtim.
Sipas të dhënave, shoqatat civile të cilat merren me çështje të caktuara brenda kësaj periudhe nuk kanë arritur asnjë iniciativë të tyre ta shndërrojnë në ligj, ndërkaq deputetët nuk janë treguar shumë të hapur lidhur me kërkesat e tyre.
“Problemi qëndron në dy anë. Nga njëra anë janë shoqatat civile në përgjithësi, të cilat edhe pse janë njohëse të çështjeve dhe ndeshen me problematika të cilat i përfaqësojnë, megjithatë nuk dinë se si ato t’i shndërrojnë në ligje dhe ato në mënyrë efektive t’i komunikojnë me deputetët. Nga ana tjetër janë deputetët me të cilët duhet të komunikohet për vendosjen e praktikave për shfrytëzimin e ekspertizave nga shoqatat”,- deklaroi Ivana Petkuqeska nga Fondacioni për demokraci “Westminster”.
“Rruga nga një iniciativë e sektorit civil deri te një projekt-ligj konkret nuk është i shpejtë dhe i thjeshtë dhe nuk mund të arrihet brenda natës. Sektori civil do ta bëjë punën, por në fund ata duhet që t’i bindin deputetët se propozimi i tyre është ai që duhet të vihet në tekstin e ligjit”,- tha deputeti, Pavle Bogoevski.
Ish-deputeti dhe ekspert i kyçur në analizën “Qytetarët dhe Kuvendi”, Gordan Georgiev, thotë se Parlamenti ynë është një strukturë konservative dhe se deputetët nuk kanë shumë dëshirë që të jenë të hapur me opinionin. Por, me kalimin e kohës do të rritet edhe interesi i qytetarëve për t’u kyçur në punën e parlamentit, ndërsa deputetët të kenë përfitim nga kjo, vlerësoi ai. (Naim Ramadani, TVM2)
