Tetovë, rrugët janë pastruar por jo edhe trotuaret

27.02.2018 17:17

Edhe sot rrugët dytësore të Tetovës dhe trotuaret vazhdojnë të jenë të papastruara...

Edhe sot rrugët dytësore të Tetovës dhe trotuaret vazhdojnë të jenë të papastruara mirë dhe vështirë kalohen. Qytetarët e anketuar për TVM2 shprehen se një pjesë e fajit është e komunës, por një pjesë tjetër edhe e vetë qytetarëve.

“Me të vërtetë duhet të pastrohen, janë në gjendje si të them figurativisht katastrofale, që është një pjesë e fajit të udhëheqësisë së komunës dhe e dyta e vetë pronarëve të shitoreve, banesave, shtëpive, pasi duhet edhe ata të angazhohen dhe të pastrojnë trotuaret para dyerve të tyre. Rrugët kryesore janë të kalueshme, ndërsa ato rrugët e lagjeve ende nuk janë të pastruara”,- u shpreh një banor.

“Shiheni si është, askush nuk ndërmerr diçka për të pastruar dhe rregulluar çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Të gjitha rrugët kryesore nuk janë të pastruara mirë për shkak të veturave për shkak të lëvizjeve tjera, kështu kanë mbetur pa pastruar edhe trotuaret edhe rrugët dytësore nëpër qytet”,- theksoi një banor.

Nga komuna e Tetovës thonë se kanë hedhur një sasi të konsiderueshme të kripës dhe po punohet që të gjitha rrugët të jenë të lëvizshme, e sidomos rrugët e malësisë së Sharrit.

“Kemi intervenuar në të gjitha akset rrugore sa i përket qytetit dhe malësisë së Sharrit, konkretisht në rrugën Shipkovicë-Brodec, Sellcë, Vicë dhe rrugës që të çon për në fshatin Xhermë. Kemi filluar edhe me hedhjen e kripës dhe normalisht është harxhuar një sasi e konsiderueshme e saj me qëllim që të përmirësohet dhe të ketë qarkullim sa më të mirë të automjeteve. Edhe sot ekipet vazhdojnë të jenë në terren”,- deklaroi zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu.

Rrugët kryesore në Tetovë janë të pastruara dhe komunikacioni zhvillohet pa problem. Ndërsa rrugët e fshatrave malore janë pjesërisht të pastruara dhe sot qarkullimi i automjeteve bëhet me vështirësi.

Ndërkaq, sipas paralajmërimeve të sinoptikanëve, reshjet e borës dhe i ftohti do të jenë prezentë deri në ditën e premte. (Visar Sadiki, TVM2)