Maqedoni
Mej dhe Xhonson, takime me kryeministrat ballkanikë. Zaharieva: Vendet e Ballkanit e kanë vendin në BE
27.02.2018 17:27
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Tereza Mej, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Boris Xhonson...

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Tereza Mej, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Boris Xhonson, kanë organizuar pritje për shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët në Londër po qëndrojnë në kuadër të Samitit të WB6 organizuar nga BERZh. Me këtë rast, në takime të veçanta me kryeministrin, Zoran Zaev, dhe zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Bujar Osmani, ata i kanë dhënë mbështetje Maqedonisë në aspiratat e saj për anëtarësim në BE dhe në NATO.
Siç njoftojnë nga shërbimi qeveritar, në takime është theksuar interes i veçantë për zbatimin e reformave në Maqedoni, si dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për projektet në bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Zaev i ka informuar edhe për aktivitetet më të reja të qeverisë lidhur me proceset euroatlantike dhe integruese, veçanërisht duke theksuar pritjet e vendit për marrjen e rekomandimit për fillimin e negociatave me BE-në, si dhe pritjet për anëtarësim në NATO.
Ndërkaq, në fjalimin e tij në Samitin e Investimeve për Ballkanin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka kërkuar Brukselit që t’i mundësojë Shqipërisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Kryeministrja britanike, Mej, në takim me kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, ka siguruar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të japë mbështetjen për Kosovën në procesin integrues dhe në krijimin e një stabiliteti ekonomik dhe të sigurisë. Ballkani perëndimor ka qenë temë diskutimi sot edhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme në Bruksel. Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE, menjëherë pasi t’i kenë përmbushur standardet, ka deklaruar ministrja e jashtme bullgare, Katerina Zaharieva.
“I informova kolegët për prioritetet e kryesimit tonë, që njëherit janë edhe prioritete të rëndësishme të Komisionit Evropjan dhe disa vendeve anëtare. Perspektiva europiane është e ndërlidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndamë ide dhe mendojmë se kjo është në të vërtetë dritare e mundësive dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të vetme, t’u japim vendeve ballkanike sinjal të qartë politik për përkrahje, pa krijuar pritje joreale”,- tha ministrja e jashtme e Bullgarisë, Katerina Zaharieva.
Shefat e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të takohen sërish të enjten në Sofje me ftesë të kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, për të biseduar me kryetarin e KE-së, Zhan Kllod Junker, lidhur me përshpejtimin e procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
