Maqedoni
Punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, Qeveria: Kompensim në para deri në pensionim
27.02.2018 17:47
Qeveria miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara....

Qeveria miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, përmes të cilit do të përfshihen edhe 1.900 persona të tjerë që kanë mbetur pa punë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve ku ata kanë punuar. Me këto ndryshime ata do të kenë mundësi të fitojnë kompensim në para deri në pensionimin e tyre.
"Me ndryshimet e miratuara lehtësohen kushtet e nevojshme të konfirmuara me ligjin aktual, të cilat kanë të bëjnë me fitimin e të drejtës së sigurimit material nëse ndërprerja e marrëdhënies së punës është krijuar në momentin kur ndërmarrja me pronë dominuese të shtetit është privatizuar, me kusht që numri i vetëm amë i subjektit të mos ndryshohet nga momenti i krijimit të marrëdhënies së punës në atë ndërmarrje deri në ndërprerjen e saj",- u shpreh ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
Carovksa informoi se për shkak të fleksibilitetit më të madh dhe mundësisë që pjesa më e madhe e punëtorëve të falimentuar t'i përmbushin kushtet, ndryshohet edhe pjesa për moshën e nevojshme që duhet ta ketë personi i papunë, të paktën 52 vjet për gratë dhe 55 vjet për meshkujt. Ligjin e ashtuquajtur për punëtorët e falimentuar, Qeveria e miratoi në shtator të vitit 2017. Në pajtim me ligjin, deri tani u janë dhënë vendime 2.732 punonjësve të falimentuar, ndërsa në pajtim me ndryshimet e miratuara tani edhe 1.900 personave të tjerë.
ERSAN PAJAZITI
