Shkup, disa të lënduar nga rrëshqitja në borë
Reshjet e borës nxorën rrugëve të Shkupit ekipet e shërbimeve dimërore....

Reshjet e borës nxorën rrugëve të Shkupit ekipet e shërbimeve dimërore të cilat janë angazhuar në pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës, me ç’rast, siç bëhet e ditur se gjatë natës së kaluar janë hedhur 288 tonelata kripë industriale.
Por, lëvizja e qytetarëve qoftë me automjete apo edhe e këmbësorëve është vështirësuar, pasi autoritet shëndetësore të spitalit “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup informojnë se ditëve të fundit kanë intervenuar tek 50 pacientë me lëndime të ndryshme trupore të shkaktuara nga rrëshqitjet.
Nga ky spital u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar sidomos në rrugicat e papastruara.
“Prej ditës së diel në spitalin tonë janë paraqitur mbi 50 pacientë me lëndime të ndryshme trupore. Prej tyre 4 pacientë kanë pësuar fraktura, prej të cilëve dy janë ndalur për mjekim shtesë në spital, ndërsa të tjerët janë lëshuar në shtëpi. Ne u bëjmë thirrje personave të moshuar që të mos dalin pa nevojë jashtë, ndërsa drejtuesit e automjeteve u rekomandohet shpejtësi e përshtatur në komunikacion”,- deklaroi kirurgu në “Shën Naumi I Ohrit”, Burim Elezi.
Edhe në Qendrën urgjente në Shkup ditëve të fundit regjistrohet rritje e pacientëve të lënduar dhe të hospitalizuar si pasojë e rrëshqitjeve.
Mjekët në këtë klinikë deri tani kanë intervenuar tek 20 pacientë me fraktura, prej të cilëve pesë janë ndalur në mjekim shtesë në spital. Drejtuesit e kësaj klinike informojnë se më së shumti pësojnë pleqtë.
Paralajmërimi i sinoptikanëve është se shtresa e borës në kryeqytet do të jetë e pranishme deri në fund të kësaj jave, ku pritet edhe përmirësimi i kohës dhe rritja e temperaturave. (Rexhep Qamili, TVM2)
