Fillon ndërtimi i objekteve ndihmëse në autostrada
Projektet e tilla, sipas zëdhënësit qeveritar, Aleksandar Gjeorgjiev, do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së transportit dhe qarkullimit, hapjen e mundësive për investime dhe zhvillim ekonomik dhe me këtë hapjen e vendeve të reja të punëve…..

Qeveria, i ka dhënë “dritë jeshile” projektit me të cilin parashihet ndërtimi i 30 objekteve ndihmëse në rrugët magjistrale dhe rajonale në të gjithë vendin.
Projektet e tilla, sipas zëdhënësit qeveritar, Aleksandar Gjeorgjiev, do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së transportit dhe qarkullimit, hapjen e mundësive për investime dhe zhvillim ekonomik dhe me këtë hapjen e vendeve të reja të punëve.
Gjeorgjiev, informoi se në fazën e parë tashmë janë krijuar nëntë vende për ndërtimin e pompave të benzinës, motele dhe objekte të tjera ndihmëse komerciale në tre autostradat që janë ndërtuar në vend.
“Për këto nëntë vende, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe institucionet e tjera relevante, kanë filluar procedurat që të çojnë në përpilimin e dokumentacionit urban dhe të planifikimit. Prej tyre, dy vende janë përgjatë autostradës Kërçovë-Ohër, pranë fshatit Misleshevë dhe Smilevë, tri vende në rrugën Demir Kapi-Smokvicë, pranë lokalitetit Miravci dhe Miletkovë dhe katër vende përgjatë trasesë së autostradës Shkup-Shtip, në afërsi të Shën Nikolës, Peshirovës dhe Sopotit”- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjeorgjiev.
Gjeorgjiev, njoftoi se nëntë vendet do të ofrohen për shitje përmes ankandit publik elektronik. Procedurat për përpilimin e dokumentacionit priten të jenë të gatshme deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. (Florije Kamberi, TVM2)
