Maqedoni
Besa, Gashi e Kasami të gatshëm të jenë pjesë e qeverisë
27.02.2018 18:36
Në kuadër të emisionit “Argument”, sonte në orën 20 e 30 do të keni mundësi t’i ndiqni intervistat e veçanta....

Në kuadër të emisionit “Argument”, sonte në orën 20 e 30 do të keni mundësi t’i ndiqni intervistat e veçanta me dy kryetarët e Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasamit dhe Afrim Gashit. Për këtë edicion kemi veçuar opinionet e dy kryetarëve për mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në qeveri.
Edhe Kasami edhe Gashi nuk përjashtojnë mundësinë që të jenë pjesë e koalicionit qeveritar pas rikonstruimit të paralajmëruar të qeverisë nga kryeministri, Zoran Zaev. Krahu i Lëvizjes “Besa” i udhëhequr nga Afrim Gashi thotë se në parim kanë përkrahur reformat e qeverisë edhe pse nuk kanë qenë pjesë e saj.
Nëse ka ofertë për hyrje në Qeveri, Gashi thotë se e njëjta me seriozitet do të shqyrtohet nga kryesia e partisë dhe do të merret vendim për të, ndërkaq krahu i udhëhequr i Lëvizjes “Besa” nga Bilall Kasami vlerëson se nëse do të merr ofertë për t’u bërë pjesë e Qeverisë me potencialin e vet intelektual, do të japë kontributin e duhur për reformat të cilat janë sfidë e qeverisë reformatore. Sipas Kasamit, për momentin nuk ka ofertë për pjesëmarrje në Qeveri, por ka vetëm paralajmërim nga kryeministri për rikonstruim të mundshëm në pranverë.
FATOS MUSLIU
