Shqipëri, bora ka shkaktuar vështirësi në disa zona

27.02.2018 19:06

Reshjet e dëborës, si rrallëherë, kanë përfshirë pjesën më të madhe të Shqipërisë....

Reshjet e dëborës, si rrallëherë, kanë përfshirë pjesën më të madhe të Shqipërisë, duke shkaktuar probleme, pasi fshatra të tëra, sidomos në zonën veriore, janë izoluar. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar mjaft probleme sa i përket kalueshmërisë së rrugëve, por edhe furnizimit me energji elektrike.

Në zonat malore, si në Kukës dhe Dibër, ka fshatra të izoluara nga reshjet e dendura, banorët e të cilave krahas bllokimit të rrugëve po vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike. Me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve është ndërprerë mësimi në zonat e thella të Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe Krujës.

Edhe në qarkun e Shkodrës reshjet e borës janë prezente thuajse në të gjithë qarkun, ndërsa më problematike situata është në zonën e Thethit, ku trashësia e dëborës i kalon 2 metra.

Gjithashtu edhe zonat më të ulëta kanë problem me qarkullimin e automjeteve pasi rrugët vijojnë të jenë të pa pastruara.

Reshjet e dëborës kanë zbardhur gjithashtu edhe të gjithë qarkun e Lezhës. Ato kanë vijuar gjatë gjithë natës, duke arritur në trashësi nga 10 centimetër në ultësira deri në 50 centimetra në zonën e Mirditës. Për pasojë është pezulluar mësimi në shkolla, ndërsa në rrugët kryesore që përshkojnë qarkun janë nxjerrë borëpastrueset.

Edhe qarku i Elbasanit është mbuluar nga dëbora, duke shkaktuar probleme jo vetëm në zonat malore, por edhe në qytetet e Përrenjasit dhe Librazhdit.

Në aksin rrugor Elbasan-Qafëthanë qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë.

Edhe në Tiranë reshjet e dëborës janë rikthyer pas disa vitesh, por ndryshe nga zonat e tjera ku ka pasur problem, në kryeqytet është pritur me padurim. (Luljeta Ndoka, TVM2)