MATURANTËT, ANKESAT

Skadoi afati i ankesave për maturën shtetërore

17.07.2014 16:07

Maturantët, të cilët kanë vërejtje për testin e maturës, deri sot kanë mundur t’i paraqesin ankesat e tyre deri te Qendra Shtetërore e Provimeve……

Maturantët, të cilët kanë vërejtje për testin e maturës, deri sot kanë mundur t’i paraqesin ankesat e tyre deri te Qendra Shtetërore e Provimeve.

Ka maturantë të cilët e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë, tha ndihmësdrejtori në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Besim Limani, sipas të cilit, këto raste kryesisht kanë të bëjnë me nxënësit të cilët nuk kanë arritur notë kaluese, apo ata të cilët dëshirojnë sukses të shkëlqyeshëm.

“Ka disa ankesa që janë parashtruar, ato me siguri do të shqyrtohen pastaj në Qendrën për Vlerësim dhe atje do të kontrollohen nëse kanë të drejtë. Nëse zgjidhja është në favor të nxënësve, atëherë do të kthehen të hollat prej 1000 denarësh”- deklaroi ndihmësdrejtori në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Besim Limani.

Nga Qendra Shtetërore e Provimeve, bëjnë të ditur se ankesat do të shqyrtohen dhe do tu jepet përgjigje në kohë palëve që i kanë parashtruar.

“Ka Komision të veçantë që do t’i shqyrtojë ankesat dhe për ankesat janë të udhëzuara shkollat deri në finalen e afatit të gushtit”- theksoi  drejtoresha e Qendrës së Provimeve 15.07.2014, Mirushe Ameti.

Afati i ardhshëm i provimit të maturës është në muajin gusht, ose më saktë më 11 deri me 16 gusht. (Flutura Latifi, TVM2)