Kuvendi i Kosovës, seancë të jashtëzakonshme për demarkacionin
Kuvendi i Republikës së Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme në të cilën në rend dite është Projektligji...

Kuvendi i Republikës së Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme në të cilën në rend dite është Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Seanca e sotme vjen pasi gjatë fundjavës kryeministri, Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, u dakorduan rreth kësaj çështjeje, ndërsa kundër ratifikimit të demarkacionit vazhdon të jetë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Srpska.
Lëvizja Vetëvendosje është kundër, pasi siç tha Glauk Konjufca nga kjo parti, Kosova po humbet territor, ndërsa Lista Srpska thotë se për këtë subjekt më i rëndësishëm është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe sesa demarkacioni me Malin e Zi.
Të dyja këto subjekte politike përfaqësohen me 42 deputetë, ndërsa për t'u ratifikuar demarkacioni nevojiten 80 vota nga 120 sa i ka parlamenti i Kosovës. Seanca për demarkacionin po mbahet në ditën kur në Prishtinë ndodhen tre krerët e Bashkimit Europian, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, shefja e Diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini, dhe komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është kusht që Kosova duhet ta përmbushë në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.
