Botë
"Bisha nga Lindja" mori 24 jetë në Evropë
28.02.2018 12:55
Nga Baltiku deri në Mesdhe, Evropa është në goditje të valës së akullt nga Siberia...

Nga Baltiku deri në Mesdhe, Evropa është në goditje të valës së akullt nga Siberia, ku për katër ditë janë regjistruar të paktën 24 viktima.
Viktima ka në Poloni, Francë, Çeki, Rumani, Itali dhe Estoni.
Vala e ftohtë, të cilën mediat britanike e quajtën "Bisha nga Lindja", holandezët - "Ariu siberian", suedezët - "Topi i dëborës", ndërsa në Francë është e njohur nën titullin "Moskë-Paris", më tepër e kanos shëndetin e kategorive më të ndjeshme të banorëve, para të gjithash të pastrehëve dhe personave të moshuar, por e pengon edhe trafikun.
Nga e premtja për shkak të të ftohtit kanë vdekur të paktën 24 persona, prej të cilëve nëntë në Poloni, katër në Francë, pesë në Lituani, tre të pastrehë në Çeki, dy në Rumani, prej të cilëve gruaja 83-vjeçare është gjetur në rrugë e mbuluar me dëborë dhe një i pastrehë në Itali, derisa në Estoni i ftohti ka marrë shtatë jetë nga fillimi i shkurtit.
Në Laponi dhe në Alet italiane temperatura ka zbritur deri në minis 40, në Suedi deri minus 39,6 gradë, derisa në pjesën jugore të Austrisë minus 25,4 gradë, që është rekord temperaturë e ulët për muajin shkurt në këtë rajon.
Në më pak se 100 kilometra nga Venecia, natën mes të dielës dhe të hënës janë regjistruar minus 40 gradë.
Temperaturat kanë mbetur të pandryshuara edhe mbrëmë, me minus 24 në disa pjesë të Gjermanisë, minus 29 në Estoni dhe minus 18 në Çeki.
Për shkak të valës së ftohtë janë anuluar fluturime të aeroplanëve në Londër dhe Napoli, ndërsa bora dhe rrugët e ngrira e vështirësojnë qarkullimin në mbarë Evropën, duke shkaktuar ngecje ose anulim të udhëtimeve.
Në Romani janë mbyllur tre porte në Detin e Zi, ndërsa në Gjermani janë regjistruar një numër i madh i aksidenteve, duke përfshirë edhe aksident zinxhiror në të cilën kanë marrë pjesë madje 30 automjete.
Në Belgjikë është siguruar strehimore për të pastrehët, ndërsa thirrje për përkujdesje janë dërguar deri te të gjithë të pastrehët në mbarë Evropën.
Në Francë në 68 rajone është ngritur plan në rast të së "ftohtit të madh".
"Bisha nga Lindja" në Romë këtyre ditëve solli stuhi dëbore, e cila e paralizoi qytetin. Shkollat janë mbyllur, ndërsa qarkullimi ajror, hekurudhor dhe i autobusëve është ndërprerë.
Agjencia italiane për mbrojtje civile e mobilizoi ushtrinë që të ndihmojë në pastrimin e rrugëve, duke marrë parasysh atë se qyteti, i mësuar në dimra të butë, është i mbuluar me shtresë të trashë të borës.
Autoritetet holandeze ndaluan lundrim nëpër kanalet në Amsterdam për shkak të të ftohtit të madh dhe akullit të trashë i cili formohej në sipërfaqen e ujit. Autoritetet e qytetit njoftojnë se kjo do t'u mundësojë qytetarëve dhe turistëve që lirisht të rrëshqasin nëpër kanalet, gjë që nuk ka ndodhur nga viti 2012.
Vala e akullt "Bisha nga Lindja" shkencëtarët e sqarojnë me rritjen e temperaturave deri 30 gradë në Polin e Veriut, që është më shumë se mesatarja në atë rajon. Ekstreme të tilla kohore kanë ndodhur në katër vite në periudhë 1980-2000, ndërsa tani përsëriten katër vite të njëpasnjëshme.
Shkak për valën e akullt është ardhja e ajrit të ngrohtë, i cili bart lagështi të madhe nga Poli i Veriut. Shkencëtarët theksojnë se kjo ka ndodhur edhe më herët, por asnjëherë kaq shpesh dhe me intensitet si gjatë katër viteve të fundit.
Ndryshimi i klimës në Polin e Veriut ka shkaktuar zhvendosje të ajrit të ftohtë arktik drejt Evropës./mia
