“Kryqi i Kuq”, ndihmon qytetarët me veshëmbathje
Për momentin funksionon me anë të vauçerëve, të cilët “Kryqi i Kuq” i shpërndan në Komuna dhe mundësi për ta shfrytëzuar kanë familjet e rrezikuara sociale…

Kjo depo, është hapur për familjet e rrezikuara sociale, të cilat nuk mund t’i lejojnë vetes të blejnë veshmbathje dhe tashmë ka marrë pamjen e një dyqani.
Për momentin funksionon me anë të vauçerëve, të cilët “Kryqi i Kuq” i shpërndan në Komuna dhe mundësi për ta shfrytëzuar kanë familjet e rrezikuara sociale.
“Qytetarët, mund të drejtohen në Organizatën e “Kryqit të Kuq”, në Komunën e tyre. Me ta bisedojnë bashkëpunëtorët përkatës dhe punëtorët social, të cilët bëjnë vlerësim të situatës dhe u japin vauçer, ku me vauçerin mund të vinë këtu dhe të tërheqin atë që duan”- tha një shitëse.
Tashmë një pjesë e qytetarëve që i takojnë kësaj kategorie të shoqërisë, kanë filluar të vishen me veshmbathjet e këtij dyqani. Atyre u jepet e drejta të përzgjedhin veshjet sipas shijes dhe dëshirës së tyre. Gardëroba është e re, apo e dorës së dytë.
Veshjet e donuara selektohen dhe sipas nevojës lahen, dezinfektohen dhe hekurosen, por ka edhe veshje të dorës së parë, të cilat i sigurojnë konfeksionet vendore.
“Kemi për qëllim tu dalim në ndihmë një numri të madh të qytetarëve dhe të njëjtit nuk mund të marrin dy herë veshje gjatë këtij sezoni, por këtë mund ta bëjnë gjatë sezonit të ardhshëm”- theksoi një shitëse.
“Kryqi i Kuq” i Maqedonisë, synon që depo të ngjashme të hap në të gjitha qytetet e Maqedonisë. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
